Vitrina e librit/ Kopertinat e reja: “Globalizimi dhe vetëdija kulturore” dhe “Duke përjetuar këngën labe”

14/01/2019 10:56

Kopertinat e reja të kësaj jave janë “Globalizimi dhe vetëdija kulturore” dhe “Duke përjetuar këngën labe”.

Globalizimi dhe vetëdija kulturore nga Fei Xiaotong 
Përktheu: Kujtim Ymeri 

Ky libër përmbledh më shumë se 20 artikuj, ligjërata dhe biseda të prof. Fei Xiaotong, nga fundi i viteve 1980 deri në fillim të viteve 2000. Tema e tyre qendrore është se si qytetërimet do të bashkëjetonin në kontekstin e globalizimit të shpejtë. Fei propozon konceptin e tij “të vetëdijes kulturore”, të përmbledhur shkurtimisht në aksiomën “secili vlerëson më të mirën e vet, vlerëson më të mirën e të tjerëve, të gjithë vlerësojnë së bashku më të mirën për një harmoni më të madhe të të gjithëve”. Ky koncept është rezultat i një pune studimore shumëvjeçare në këtë fushë, dhe përfaqëson një sintezë të formimit të tij perëndimor dhe mendimit tradicional kinez.

Duke përjetuar këngën labe  nga Haxhi H. Dalipi

Ky libër i është kushtuar poetëve, këngëtarëve, valltarëve dhe instrumentistëve të Labërisë. Është botimi i parë që zbulon mendimin teorik, atë të shkruar të Haxhi Dalipit, personaliteti i të cilit ngërthente muziktarin në vegël, dirigjentin dhe kompozitorin. Haxhi Dalipi, Artist i Merituar (1941-2006), përmes këtij libri ka sjellë si objekte ndër të tjera muzikën tradicionale labe, pra, një ndër variantet kryesore të muzikës tradicionale shqiptare, e cila gjallon krahas tre varianteve të tjera të saj:  variantit muzikor geg, variantit muzikor tosk, variantit muzikor qytetar; stilin muzikor të Bolenës, stilin muzikor të Smokthinës, stilin muzikor të Lumit të Vlorës, të Vranishtit, Tërbaçit, Lapardhasë, Dukatit, Kaninës, Karbunarës, Himarës, Pilurit, Dhërmiut, Myzeqesë, qytetit të Vlorës e më gjerë.

Top Channel