Amos Oz, shkrimtar i famshëm izraelit dhe një avokat i zëshëm i paqes mes Izraelit dhe palestinezëve, është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare.

Mes punimeve më të famshme të tij është edhe novela autobiografike e 2002-shit, një rrefim për dashurinë dhe errësirën, i përkthyer edhe në shqip. Ajo u adaptua për ekranin e madh në vitin 2015, nën drejtimin e Natalie Portman.

Mbështetja e Amos Oz për zgjidhjen dyshtetërore të konfliktit izraelito-palestinez, bëri që të kishte edhe nga ata që e quanin atë tradhtar, por që – siç ai vet ishte shprehur, – kjo për të ishte si një medalje nderi. Lajmi i ndarjes së tij nga jeta u dha nga e bija, historiania Fania Oz Salzberger.

Oz ishte një nga shkrimtarët më të lexuar dhe më të famshëm izraelitë, ka fituar një numër çmimesh, përfshirë çmimin “Izrael”, atë gjerman “Heinrich Heine”, “Legjionin e Nderit” në Francë, si dhe anëtarësinë në Akademinë amerikane të Arteve dhe Shkencës.

Librat e tij janë përkthyer në 45 gjuhë, e ai shpesh është përmendur si kandidat për çmimin “Nobel” për Letërsinë.

Lexuesi shqiptar e njeh shumë mirë përmes veprave të tij të përkthyera në gjuhën shqipe: “Jetë fshati”, “Majkëlli im”, “Rrëfim për dashurinë dhe errësirën”, “Të njohësh një grua” dhe “Jeta rimon me vdekjen”.

Top Channel