Komuniteti i biznesit u shpreh pro propozimit të disa deputetëve të Komisionit të Ekonomisë për rritjen e kufirit të pagës bruto të patatueshme, nga 30 mijë në 40 mijë lekë në muaj.

“Për ne biznesmenët do të ishte shumë mirë një gjë e tillë. Në rast se e rrisim këtë fashë, do të shmangnim një evazion shumë të madh që bëjnë kompanitë e nivelit të pagave nga 30-40 mijë lekë”, tha Luan Bregasi, “Biznes Albania”.

Ndërkohë, shoqatat e biznesit e konsiderojnë pozitiv faktin e uljes së taksës mbi dividentin, nga 15 në 8 për qind, por sipas tyre, duhet parë që kjo taksë të bëhet zero, për shkak se nuk konkurrojmë dot me rajonin për të thithur investime.

“Nëse ne jemi me 8 për qind, Kosova është me zero. Nga pikëpamja jonë, taksa e dividentit është një taksë e dyfishtë, sepse të gjitha kompanitë paguajnë taksë fitimi”, u shpreh Mark Crawford, nga Dhoma amerikane e Tregtisë.

Edhe ndërtuesit kërkojnë lehtësim të barrës fiskale. Sipas tyre, taksa e infrastrukturës rrit me 20 për qind kostot.

“Në rast se sot ndërtohet në Tiranë me 400 euro për metër katror, shtohen 100 euro, që në fund të fundit do t’i paguajë direkt konsumatori që do të blejë, sepse ndërtuesi nuk ka ku i shkarkon”, tha Luigj Aleksi, nga Shoqata e Ndërtuesve.

Shoqatat e biznesit kërkojnë po ashtu që, gjatë diskutimeve nen për nen të buxhetit dhe paketës fiskale, të merren parasysh kërkesat për thjeshtëzimin e legjislacionit tatimor.

Top Channel