Në takimin e 11 nëntorit në Paris nuk do të diskutohet për dialogun Kosovë-Serbi, por rasti përbën një mundësi të mirë për afirmimin e shtetësisë.

Në një konferencë për shtyp, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se çdo mundësi e pjesëmarrjes jashtë vendit do të shfrytëzohet për të promovuar vendin dhe për të siguruar njohje.

“Atje (në Paris) nuk do të ketë dialog Kosovë-Serbi, por do të jetë një mundësi e afirmimit të shtetit të Kosovës. Pjesëmarrja edhe e presidentit të Serbisë është nën autoritetin e presidentit francez dhe jo të Kosovës. Ndoshta edhe Serbia mund të ketë vërejtje në këtë drejtim, por është puna e tyre”, deklaroi Thaçi.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, më 11 nëntor do të presë shumë krerë botërorë, në manifestimin e përvjetorit të 100-të të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

Për kryeministrin Ramush Haradinaj, është diçka e mirë që presidenti i Kosovës do të jetë në një ngjarje të tillë.

“Thaçi megjithatë është president i vendit, i zgjedhur, nuk mundesh t’ia ndalosh presidentit të ulet me një president tjetër. Për shembull, nëse presidenti Macron thërret presidentët e vendeve, është më mirë për vendin tonë që atje të jetë presidenti i Kosovës”, tha Haradinaj.

Pas mbledhjes së qeverisë, Haradinaj përsëriti edhe njëherë se nuk pranon asnjë marrëveshje me Serbinë që çon drejt ndryshimit të kufijve.

“Po marrëveshje ligjore, detyruese për njohjen reciproke me Serbinë. Jo marrëveshje bazuar në territor apo në kufij. Ato janë vetëm kamuflazh për ndarje të Kosovës. Kosova është ajo e 17 shkurtit. Po pajtimit, jemi të interesuar në pajtim, jemi të interesuar që të mbyllim çështjet e mbetura hapur”, theksoi Haradinaj.

Top Channel