Tirana u shfaq në një formë të shkëlqyer në prag të derbit të zjarrtë të kësaj të premteje me Partizanin.

Skuadra kryeqytetase nuk hasi asnjë lloj vështirësie për t’u kualifikuar në raundin pasardhës të Kupës së Shqipërisë teksa likuidoi Ilirinë.

Për Tiranën, që e kishte fituar ndeshjen e parë 4-1, rezultoi thjesht një formalitet pasi e fitoi sfidën e kthimit me rezultatin 4-0 me 3 gola të Sentamu dhe një të Ngoo. Për trajneri Ze Maria, vetëm tani është momenti për të menduar për ndeshjen derbi me rivalët e Partizanit.

“Vetëm tani mund të mendojmë për ndeshjen me Partizanin. Në çdo moment duhet të jemi të përqendruar për këtë ndeshje. Vijmë nga një periodë e gjatë a fituar, por është një ndeshje derbi, më e rëndësishmja e vitit ashtu siç ndodh edhe në kampionate të tjera. Ne do të kërkojmë që të fitojmë. Do të punojmë shumë këto ditë. Kemi bërë lojëra të mira në ndeshjet e fundit. Shpresojmë që të vazhdojmë kështu”, tha Ze Maria, trajner i Tiranës.

Po kaq të lehtë e pati ndeshjen e tij edhe Partizani që mundi Tërbunin, sfidën e parë me të cilin e kishte fituar me rezultatin 0-1. Rolin e protagonistit për Të Kuqtë e Skënder Gegës u bë Eraldo Çinari që shënoi 2 gola në këtë fitore në minutën e 16 dhe të 39. Vendosën emrin e tyre në listën e shënuesve për Partizanin edhe Jurgen Bardhi dhe Hebaj në minutat 29 dhe 82 për të fiksuar shifrat 4-0.

Top Channel