“Pirro” ngjitet në Antigone. Tragjedia në vargje është shkruar në vitin 1934

08/07/2018 12:13

Tragjedia “Pirro”, një vepër “e burgosur” shqiptare e shkruar në vitin 1934 prej Het’hem Haxhiademit, u ngjit në skenën natyrore të rrënojave të Antigonesë.

Kjo tragjedi është e para që luhet 2.300 vite pas periudhës së Teatrit Antik në këtë sit. Tragjedia në vargje, e para në llojin e vet, ishte plotësisht e harruar pas burgosjes prej regjimit komunist të autorit, e më pas vdekjes së tij në Burgun e Burrelit.

“Pirro rikthehet në Antigone, të cilën e themeloi për hir të gruas së tij, Antigona. Është vepra e parë teatrore që vjen në këtë truall. Synimi i Bashkisë së Gjirokastrës është që sezonet turistike të shoqërohen me vepra të tilla, apo me aktivitete të tjera të ndryshme, në sitet arkeologjike, të cilat bashkia nuk është se i ka mangët”, tha Ilir Lluri, regjisor.

Tragjedia është një përballje në luftën dhe intrigat për pushtet për fronin e Epirit antik, mes dy mbretërve, Pirros dhe Neoptolemit.

Delvis Bejleri, që sapo është diplomuar si aktor, mbajti peshën e rolit të Pirros. Ai tregon se tragjedia ishte intensive dhe një përvojë unike për të.

“Ka qenë shumë e veçantë për mua, që nga atmosfera e krijuar, që nga vendi të cilin Pirro e ka ngritur për nder të gruas, Antigona, dhe është një eksperiencë shumë e veçantë. Jam ndierë shumë mirë realisht, ishte njësoj sikur të ishim në teatër”, tha Delvis Bejleri.

Kryetarja e Bashkisë tha se këtë sezon synohet promovimi turistik edhe i rrethinave të Gjirokastrës, ku do të vendoset edhe një kalendar kulturor aktivitetesh.

“Pirro” u çmua nga kritika në premierën e tij, si vepra më e arrirë e vënë në skenën e Teatrit të Gjirokastrës prej dekadash. Për rreth 1 orë e 20 minuta, aktorët sollën në skenën natyrore një vepër dinamike dhe intensive, me një kostumografi të rrallë, pjesë e një hulumtimi të gjatë mbi veshjen e periudhës.

Top Channel