Ajo ndoshta është përkthyesja më vjetër në Shqipëri. Janka Trifonova Selimi është sot 83 vjeç dhe që prej gjysmë shekulli përkthen me dëshirë nga bullgarishtja në gjuhën shqipe.

Por, Janka as e kishte menduar ndonjëherë që jeta e saj do të endej mes librave në këto dy gjuhë, nëse fati nuk do ta kishte sjellë në Shqipëri.

“Unë isha studente në Moskë. Atje kam takuar tim shoq edhe u dashuruam si të rinj që ishim. Kam ardhur në ’58 në Shqipëri, sa kam mbaruar shkollën. Kam punuar si bibliografe në Bibliotekën Shkencore të Universitetit, pastaj kështu erdhën rrethanat dhe zhvillimet në Shqipëri dhe më tërhoqen si përkthyese në Radio Tirana”, tregon ajo.

Janka ka përkthyer 4 libra letrarë nga bullgarishtja në shqip dhe një nga gjuha shqipe në atë bullgare, ndërsa tregimet dhe librat për fëmijë janë të shumtë.

“Gjatë kohës që isha përkthyese në Radio Tirana, “Kështjellën” e Ismail Kadaresë e kemi përkthyer atje. Ishte si të thuash përkthimi im i parë letrar që kam bërë atje. Kam përkthyer tregime nga klasikët tanë të dashur Jordan Jovkov, Filip Pelen pastaj më vonë edhe nga autorë të kohës”, shton më tej.

Çdo ditë ajo përkthen 5 faqe, por që të mbërrijë tek ky numër i duhet një punë e gjatë parapërgatitore. Miku më besnik i saj është fjalori, në të cilin kërkon vazhdimisht shprehjet e duhura frazologjike.

“Në fillim kur të jepet një libër për t’u përkthyer, patjetër duhet të njihesh me të, ta lexosh njëherë nga fillimi në fund, të dish se çfarë do të përkthesh. Personazhet duhet të bëhen të tuat, të jetojnë me ty, të njihesh mirë me ta. Nuk mund të nisësh të përkthesh një libër ndryshe”, këshillon Janka.

Që gjuha e saj mëmë të vijojë të përhapet në shqip, Janka ia ka trashëguar vajzës, e cila vijon të përkthejë me të njëjtin pasion si nëna e saj.

Top Channel