“Procedurat” vjen si një film me dy pjesë, që përqëndrohet në realitetin rëndom vulgar të gjahtarëve dhe viktimave, në një shoqëri ku vlerat morale nuk kanë asnjë rëndësi.

Në pjesën e parë, regjisori Ergys Meta sjell metamorfozën e një artisti në xhelat. Duke sjellë edhe nëntekstin e jetesës në nivel mbijetese. Regjisori e ka sjellë filmin bardhezi, duke të lënë mundësinë të shijosh shtrirjen në detaje.

“Çdo personazh është i futur në kuti, sikurse çdo skenë. Filmi ka një vendveprimi shumë të vogël dhe gjithçka është e kornizuar”, thotë Ergys Meta, regjisor.

Ndërsa në pjesën e dytë, “Një ditë si kjo”, me skenar dhe regji të Suela Bakos, ndjekim rrugëtimin e një gruaje që kërkon të vendosë drejtësi, pasi ishte viktimë e një situate vjedhjeje.

“Filmi është i mbështetur në një histori të vërtetë që më ka ndodhur pikërisht mua. Kjo është edhe arsyeja pse kam zgjedhur këtë mënyrë për ta xhiruar filmin me një plan të vetëm”, shprehet Suela Bako, aktore e regjisore.

“Prodecurat” është një produksion i “ERAFILM”, financuar nga “QKK” në kategorinë e filmit “indipendent”.

“Qëllimet kryesore kanë qenë bashkëpunimi me dy regjisorë të rinj. Të themi një histori urbane të vërtetë, e cila është përditë me ne”, thotë Sabina Kodra, producente.

Premiera vjen këtë të enjte, e më pas filmi do të jetë në të gjitha kinematë e kryeqytetit. Duke sjellë një kronikë qytetase, që çdokush mund ta gjejë veten.

Top Channel