Peshëngritja, presidenti i Federatës europiane “pajton” KOKSH-in me FSHP-në

21/05/2018 13:32

Pas një situate tejet të tensionuar dhe marrëdhënieve të ndërprera mes Federatës Shqiptare të Peshëngritjes dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, me kërkesën e këtij të fundit ka mbërritur këtë të hënë në Tiranë presidenti i Federatës Europiane të Peshngritjes, Antonio Urso.

Në zyrat e KOKSH-it është zhvilluar një takim dypalësh mes drejtuesve të federatave respektive, ku thelbi kryesor ka qenë përjashtimi e kërkesat që ka pasur Komitetit Olimpik rreth pastrimit të sportit të peshëngritjes, si dhe shkarkimi i kryesisë së vjetër nga drejtuesit e rinj të FSHP-së.

“Erdha në Tiranë për të krijuar mundësinë e uljes së bashku në një tavolinë, të drejtuesve të Komitetit Olimpik dhe atyre të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Folëm për bashkëpunimin e së ardhmes mes këtyre dy shoqatave sportive. Sigurisht që Federata Europiane e Peshëngritjes është streha e Federates shqiptare në këtë proces të rinovimit të Federatës suaj, duke pasur parasysh që peshëngritja është një nga sportet më popullore në Shqipëri. Por, na duhet kohë dhe ne do të jemi në monitorim të këtij fillimi të ri që ka nisur në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes”, tha Antonio Urso.

Ndërkohë, duket se vendimi i KOKSH-it për të lënë jashtë Lojërave Mesdhetare të Tarragonës peshëngritjen është i pakthyeshëm, kjo edhe për arsye të tejkalimit të afateve. Gjithsesi, takimi i së hënës, sipas drejtuesve të të dyja federatave ka qenë frytdhënës për vijimësinë e bashkëpunimit, por me kushtin themelor: rinovimin e kryesisë nga presidenti i ri i FSHP-së për heqjen e dënimit dyvjeçar.

Top Channel