Mourinho mbrohet e fajëson Chelsean: Unë e bleva, nuk e shita Salah

27/04/2018 10:43

Ish-trajneri i Chelseat, Jose Mourinho ka rrëfyer për “ESPN Brazil” se meriton vetëm të lavdërohet që arriti të sillte Mohamed Salah në “Stamford Bridge” e jo të akuzohet për shitjen e yllit aktual të Liverpoolit te Roma në vitin 2016.

Gjatë kohës që drejtonte Chelsean, Mourinho kërkoi me ngulm atëherë 21-vjeçarin e Bazelit për 16.5 mln euro, në janar të vitit 2014. Gjithsesi, egjiptiani nuk arriti të gjente hapësirat e duhura te “blutë” e Londrës, e për këtë arsye u huazua te Fiorentina dimrin pasardhës, për t’u shitur përfundimisht te Roma një vit më vonë.

Salah u rikthye në Premier League në fillim të këtij edicioni, duke nënshkruar për Liverpoolin për një shifër rekord asokohe prej 42 mln eurosh, e ka rezultuar zbulimi më i madh për ekipin e Jurgen Klopp, pasi ka shënuar 43 gola në të gjitha kompeticionet dhe është shpallur lojtari më i mirë i kampionatit anglez për këtë vit.

Mourinho, gjithsesi e mirëpret shkëlqimin e Salahut në “Anfield”.

“Besoj se gjithçka ka ndodhur e ka surprizuar edhe vet atë. Ai ka qenë i shkëlqyer”, shprehet trajneri i Manchester United. “Por, ai është një lojtar i madh që ka arritur kulmin e maturimit, ka kaluar disa eksperienca të tjera, e tashmë është përshtatur në mënyrë perfekte me stilin e lojës së ekipit ku luan, të trajnerit që e udhëzon. Kështu që nuk habitem shumë”, vijon më tej portugezi.

Salah synon tashmë të thyejë rekordin e Ian Rush për golat e shënuar brenda një sezoni me Liverpoolin, e së fundi është futur edhe në vorbullën e pretendentëve për “Topin e Artë” pas dy golave dhe dy asisteve ndaj Romës, në takimin e parë të gjysmëfinaleve të Champions League.

Sezoni fantastik i Salah ka ngritur shumë pikëpyetje mbi vendimin e Chelseat për ta shitur atë, por Mourinho mbrohet duke shtuar se “është hera e parë që më duhet ta them këtë, sepse është një tjetër padrejtësi që thuhet për mua”.

“Njerëzit mendojnë se isha unë që e shita Salahun, por është e kundërta. Unë kërkova ta blinim! Unë isha ai që u thashë drejtuesve të Chelseat ta blinin egjiptianin. Isha unë në krye të bluve, kur ai erdhi te Chelsea. Por, ai erdhi në moshë shumë të re, fizikisht nuk ishte gati, sikurse psikologjikisht, në aspektin social dhe kulturor. Shumëçka është thënë për të madje. Vendosëm ta huazonim, sepse edhe ai na e kërkoi diçka të tillë. Ai donte të luante më shumë, të maturohej, e pse mos e bënte këtë te Fiorentina. Tani, ishte Chelsea që vendosi ta shiste atë, jo unë”, thotë “Special One”.

“Më vjen keq që ata janë shprehur se isha unë që e shita. Është tërësisht një gënjeshtër. Unë e bleva, pranova ta huazonim sepse mendova që ishte e nevojshme, e për më tepër sepse Chelsea kishte lojtarë krahu asokohe. Disa prej tyre janë ende te Chelsea, po të shikosh Willian, Hazard, e gjithë të tjerët që kanë përmirësuar gjithashtu nivelin e tyre. Vendimi për huazimin e tij ishte kolektiv, por vendimi për ta shitur atë për të shfrytëzuar paratë nga ai që të blihej dikush tjetër, nuk ishte i imi. Edhe po të ishte, në futboll mund të gabosh shumë herë, pasi shumë lojtarë zhvillohen në mënyrë të atillë që ne nuk mund ta parashikonim, disa të tjerë nuk arrijnë nivelin që ne mendojmë se do të arrijnë. Kështu që nuk mendoj se është një gabim, është pjesë e punës sonë”.

Top Channel