Pas lajmit të Top Channel se në Shqipëri nuk ofrohen kurse për gjuhën e shenjave, që nga viti 2005, për mungesë fondesh nga qeveria, por, edhe faktit që në të gjithë vendin ka vetëm 4 përkthyes të certifikuar të gjuhës së shenjave, por që nuk janë të licencuar, pasi shteti shqiptar nuk e njeh si profesion përkthyesin e kësaj gjuhe, vjen edhe reagimi i parë i qeverisë.

“Brenda këtij viti do të fillojmë kurset e para profesionale për mësimin e gjuhës së shenjave, qendrat e formimit profesional kanë fondet e tyre, për të ofruar këto kurse”, shprehet zv/ministrja e Financave, Dajna Soronsen.

Personat që nuk flasin dhe nuk dëgjojnë në Shqipëri janë gjithashtu të privuar nga arsimi, pasi për ta nuk ka as shkollë të mesme, as shkollë e lartë. Pasi përfundojnë arsimin 9-vjeçar ngujohen në shtëpi

“Shkollat e specializuara do të kthehen në qendra burimore, që eksperiencën që kanë tua mësojnë edhe mësuesve të tjerë që mësojnë në klasa ku ka fëmijë me nevoja të veçanta. Me identifikimin e nevojave të shohim se si do të ofrojmë kurse edhe në nivele e më të larta të arsimit parauniversitar”, thotë Besa Shahini, zëvendësministre e Arsimit parauniversitar.

Fëmijët që ndjekin këtë institut nuk flasin dhe nuk dëgjojnë, por kjo nuk I pengon të kenë dëshira dhe ëndrra për të ardhmen e tyre

“Unë jam Elona Elezi, jam 14 vjeç, jam në klasën e 8, më pëlqen shumë të bëhem fotografe. Pjesa më e vështirë është komunikimi me të tjerët. Mua më pëlqen shumë të bëhem rrobaqepëse, të stiloj rroba, fustane, bluza, në të ardhmen dua të kem edhe biznesin tim.

“Dua ta mësoj këtë zanat që në të ardhmen të kem një mundësi punësimi si zdrukthar”.

Terreni për një jetesë normale të personave që nuk flasin dhe nuk dëgjojnë në Shqipëri, numri I të cilëve arrin në rreth 39 mijë është më shumë se I vështirë. Mbi gjithçka, atyre u mungon komunikimi, që përkthyesit, edhe ata të licencuarit nuk e ofrojnë dot nëse nuk janë të anëtarësuar në shoqatën kombëtare të fëmijëve që nuk flasin dhe nuk dëgjojnë.

Top Channel