Luhen sot në mbrëmje ndeshjet e para gjysmëfinale të Europa league. Vëmendja padyshim do të jetë në “Emirates Stadium”, ku do të luhët sfida që konsiderohet si finalja e parakohshme: Arsenal-Atletico Madrid.

Skuadra londineze që luan ndeshjet e fundit do të kërkojë që të kalojë skuadrën e Simeones për të bërë të mundur që francezi t’u japë lamtumirën “Topçinjve” në mënyrën më të mirë të mundshme. Në krahun tjetër, madrilenët që tashmë janë praktikisht jashtë lufte për titull në Spanjë, do të tentojnë t’i shkojnë deri në fund këtij kompeticioni për të shpëtuar sezonin.

Kjo e sotmja do të jetë hera e parë që Arsenali dhe Atletico Madrid do të pëballen me njëri-tjetrin. Trajneri Simeone në prag të kësaj ndeshjeje deklaroi se shpreson që skuadra e tij të luajë me gjakftohtësi në këtë sfidë në “Emirates Stadium”, ku Arsenali është shumë i fortë. Në krahun tjetër, Arsene Wenger theksoi se skuadra e tij duhet të shfrytëzojë pikat e tij më të forta, siç është ajo e zotërimit të topit, ndërkohë që nuk i kurseu vlerësimet maksimale për Atletico Madrid.

Sot në mbrëmje do të luhet edhe sfida tjetër gjysmëfinale mes Olympique Marseille dhe Salzburgut. Skuadra franceze nuk njeh humbje në ndeshjet e zhvilluara në “Velodrome” në këtë sezon të Europa League dhe ka një bilanc me 7 fitore e 1 barazim. Në krahun tjetër, Salzburg vjen me moralin e lartë pas eliminimit të bujshëm që i bëri Lazios në çerekfinale, teksa e mposhti 4-1 duke përmbysur humbjen 2-4 ndaj romanëve.

Top Channel