Raporti i DASH për Kosovën: Korrupsion endemik, gjyqësor i varur e dhunë e përhapur

21/04/2018 12:05

Departamenti amerikan i Shtetit thotë se problemet kryesore të të drejtave të njeriut në Kosovë, gjatë vitit 2017, ishin sulmet ndaj gazetarëve; dhuna kundër personave të zhvendosur; korrupsioni endemik i qeverisë; mungesa e pavarësisë së gjyqësorit, përfshirë dështimet e proceseve e zbatimin përzgjedhës të vendimeve; si dhe dhuna kundër pjesëtarëve të pakicave etnike dhe anëtarëve të komunitetit LGBTI.

Raporti i përvitshëm për të drejtat e njeriut thekson se, qeveria ndërmori hapa për të ndjekur penalisht dhe për të ndëshkuar zyrtarët që kryen shkelje në shërbimet e sigurisë.

Shumë përfaqësues të opozitës, shoqërisë civile dhe medies besonin se zyrtarët e lartë ishin të përfshirë në korrupsion, pa u ndëshkuar. Ndonëse Kushtetuta ofron një drejtësi të pavarur, – thuhet në raport, – administrata e drejtësisë ishte ngadalshme dhe nuk kishte mundësi për të kërkuar llogari nga zyrtarët e gjyqësorit.

Strukturat e drejtësisë ishin subjekt i ndërhyrjeve politike, me emërime të diskutueshme dhe mandate të paqarta. Gjykatat janë të ngarkuara me lëndë të pazgjidhura. Një mekanizëm për procedurat disiplinore kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve është në fuqi, por ishte joefektiv. Autoritetet nganjëherë nuk arritën të zbatonin urdhrat e gjykatës, duke përfshirë edhe ato të Gjykatës Kushtetuese, veçanërisht vendimet që ishin në favor të pakicave.

Raporti përmend edhe zbatimin e marrëveshjes për sistemin e drejtësisë në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, ku nga tetori ka filluar integrimi i gjykatave në sistemin juridik të Kosovës. Kushtetuta dhe ligji sigurojnë lirinë e shprehjes, e qeveria në përgjithësi e respektoi këtë, thuhet në raport.

Por, njoftime të besueshme flasin se ka pasur tentativa për të frikësuar përfaqësuesit e medies. Mediet hasën gjithashtu vështirësi në marrjen e informacionit nga qeveria dhe institucionet publike, siç parashihet me ligj.

Vështirësitë financiare në rritje të medieve vunë po ashtu në rrezik pavarësinë editoriale. Raporti vë në pah kufizimet në lirinë e lëvizjes, të shkaktuara nga situata e tensionuar në veriun e Kosovës, si dhe vështirësitë në kthimin e personave të zhvendosur. Në raport theksohet se, me gjithë pohimet për shpërbërjen e tyre, qeveria e Serbisë ka vazhduar të mbajë disa nga strukturat e saj paralele në komunat me shumicë serbe.

Top Channel