Skënderbeu-Laçi do të jetë finalja e Kupës së Shqipërisë. Korçarët e kanë “nënvlerësuar” Kupën në këto vite që kanë dominuar kampionatin, por këtë herë shprehen të bindur për ta marrë në shtëpi trofeun që u mungon në palmares.

Rezultati i kësaj finaleje nuk u intereson vetëm dy skuadrave që do të përballen me njëra-tjetrën më 27 maj. Me interes drejt verdiktit të saj shohin edhe skuadrat e tjera të kampionatit, Luftëtari e pse jo dhe Flamurtari, që pas eleminimit nga Kupa shikon të vetmen rrugë që të çon në Europë atë nga kampionati.

Me Skënderbeun në finalen e Kupës mundësia që edhe skuadra që përfundon kampionatin në vendin e katërt të shkojë në kompeticionet kontinentale është reale.

Ka ndryshuar rregullin që çonte në eleminatoret e Europa League finalisten e Kupës në rast së trofeu fitohej nga skuadra kampione. Sipas rregullores aktuale “Nëse klubi i shpallur kampion i Kategorisë Superiore fiton njëkohësisht edhe Kupën e Shqipërisë atëherë klubi i renditur në vendin e katërt në klasifikimin përfundimtar do të marrë pjesë në turin e parë eleminator të Ligës së Europës”.

Kampionati pritet të përfundojë në 23 maj, 4 ditë para finales së Kupës dhe vendi i katërt në finalen e Kupës do t’i duhet të bëjë tifo për Skënderbeun.

Megjithatë, ekziston edhe një mundësi tjetër. Nëse Laçi arrin të mbyllë kampionatin në vendin e dytë ose të tretë, automatikisht do t’i hapte rrugën për Europë vendit të katërt në kampionat, pavarësisht se ku do të shkojë trofeu i Kupës së Shqipërisë.

Top Channel