Shfaqet “Ndërkombëtarët”, filmi që vë në lojë mitizimin e të huajve

03/03/2018 15:36

“Ndërkombëtarët”, filmi me regji të Pluton Vasit sjell në ekranin e madh botën e të gjithdijshëmve. Bazuar mbi novelën “Rrëfenjë me ndërkombëtarë”, të Ylljet Aliçkës, filmi sjell në kufijtë e absurdit, personazhe si ambasadorë e dhe zyrtarë të huaj, të cilët ne i mitizojmë.

“Mua më çudisin ndarjet e kombeve. Njerëzit janë njëlloj. Jemi mysafirë në këtë jetë. Kjo është një ndër gjërat që unë dua të sjell në këtë film, që njerëzit në këtë jetë duhet të merren me njëri-tjetrin”, shprehet regjisori Pluton Vasi.

Ylljet Aliçka e ka pranuar që pas botimit të novelës, e kanë ndjekur penalizime të ndryshme. Por regjisori pret sërish reagime.

“Jam dakord që do të ketë edhe hatërmbetje, do ketë edhe distancime, regres, progres, por mua nuk më shqetëson. Ylljeti ka të drejtën e vet, sepse e ka përjetuar këtë gjë”, thotë Vasi.

Regjisori ka një shpjegim për vendosjen e shumicës së skenave brenda të njëjtës hapësire dhe numrit të madh të personazheve.

“Në një vend kur të gjithë njerëzit luftojnë për tia arritur një qëllimi mund të vesh kameran gjithë jetën, sikurse mund të vesh kameran edhe në bulevard dhe njerëzit që kalojnë një kamera nuk i kap dot. Qëllimi është gjithsecili”, deklaroi regjisori i filmit.

Filmi vjen me një kast aktorësh si Eni Shehu, Hervin Çuli, Karafil Shena, Rovena Lule, Kastriot Çaushi, Alfred Trebicka, etj. Filmi ka marrë mbështejen e QKK ndërsa si media, partner ka Top Channel, me mbështetjen e Presidentes Vjollca Hoxha.

Top Channel