Tensioni, sulmohet nga tifozët. Bakaj reagon me gjestin polemizues

19/02/2018 20:28

Tensionet në sfidën e “Selman Stërmasit” mes Partizanit dhe Kukësit ishin deri diku të pranueshme në fushën e lojës, për sa kohë që ishin brenda kuadrit të rivalitetit sportiv, duke parë edhe rëndësinë e një përballjeje të tillë të drejtpërdrejt për objektivin e zonës europiane.

Por, ato u përshkallëzuan ndjeshëm në fundin e ndeshjes, kur Elis Bakaj do të ndëshkohej me karton të kuq dhe do të linte fushën përpara vërshëllimës së trefishtë të arbitrit, moment që ndezi tifozerinë vendase kundër një ish-benjamini të tyre.

Tifozët e Partizanit nisën ta ofendonin, e përballë sulmit verbal, Bakaj ka reaguar në mënyrë antisportive duke bërë gjeste me gishtin e mesit ndaj tyre. Në këtë moment duket se ka ndërhyrë drejtori sportiv i “të kuqve”, Olsi Rama, që e ka shoqëruar lojtarin e Kukësit drejt tunelit, nën breshërinë e sendeve të forta të tifozëve kryeqytetas.

Top Channel