Gjithçka që nuk dinit për Tottenhamin. Pronari jeton mes luksit të një superjahti

13/02/2018 14:46

Bobby Buckle ishte 13 vjeç, kur në vitin 1882 një grup studentësh nga “All Hallows Church” vendosën të themelonin Tottenham Hotspur.

Djemtë, kapiteni i të cilëve është Bobby, luanin në fakt kriket, por vendosën t’i dedikoheshin futbollit në periudhën dimërore. Buckle ishte kapiteni dhe autori i golit të parë zyrtar të shënuar më 20 tetor 1883.

Goli i fundit i “Hotspurs”-ave u shënua nga Harry Kane ndaj Arsenalit, të shtunën e kaluar. Por, nga Bobby deri te Harry janë plot 136 vite histori. Një histori që në palmaresin e saj ka dy tituj kampion të Anglisë (1951 dhe 1961), 8 Kupa FA, 4 Kupa të Ligës, 7 Superkupa të Anglisë, dy Kupa UEFA (1972 dhe 1984), një Kupë Kupash (1963), ndërsa suksesi i fundit daton në vitin 2008, kur në finalen e Kupës së Ligës u mposht Chelsea 1-0.

“Zemra” e Tottenhamit është në Londrën lindore, shumë larg nga snobizmi që karakterizon perëndimin e kryeqytetit britanik. Ai është një klub popullor, me një identitet hebrenjsh, objekt gjatë kohëve të fundit edhe i agresioneve racore.

Edhe pronari aktual, miliarderi Joseph (Joe) Lewis, 81 vjeç dhe i 248-i në botë për nga pasuria sipas klasifikimit të “Forbes”-it në vitin 2016, është gjithashtu hebre.

Në vitet e para të debutimit, klubi ndryshoi shpesh ngjyrën e fanellës, por në sezonin 1899-1900 erdhi edhe zgjedhja përfundimtare: bluza të bardha dhe tutat blu, në nder të skuadrës që shenjonte atë periudhë, Preston North End.

Në vitin 1899 u përurua stadiumi ku do të shenjohej edhe historia e Tottenhamit, “White Hart Lane”. Gjatë gjysmës së parë të shekullit të kaluar, jeta sportive pati ulje e ngritje, por rikthimi në elitën e futbollit anglez në vitin 1950 do të niste dy dekada të suksesshme për klubin londinez.

Në vitin 1951 do të vinte edhe titulli i parë kampion, ndërsa pas 10 vitesh ai i dyti. Por në vitin 1961, me një superlojtar si Double, “Spurs”-at do të fitonin edhe Kupën FA. Në vitin 1963, Tottenhami do të regjistrohej si skuadra e parë angleze që fiton një trofe europian: 5-1 në finale ndaj Atletico Madrid për të ngritur Kupën e Kupave.

Tottenhami i ditëve të sotme është rrjedhojë e një projekti teknik të nisur 6 vite më parë. Qendra teknike në “Enfield”, me 16 fusha dhe një të mbuluar, që u përurua në vitin 2012, është një vepër arti. “Spurs”-at janë klubi më kursimtar mes të mëdhenjve të Anglisë. Pas investimeve të mëdha të vitit 2013, falë shitjes së Bale te Reali i Madridit, në klub afrohen dy-tre lojtarë në sezon, gjithnjë duke respektuar kriterin bazë të afrimit të lojtarëve të rinj dhe me perspektivë.

Joe Lewis e përjeton së largu fenomenin “Tottenham”. Ai kalon thuajse 9 muaj të vitit në bordin e një superjahti, “Aviva”, që gjendet i ankoruar në Bahamas. Në mjetin lundrues të tij 6-katësh, njëri prej kateve strehon një koleksion arti të vlerësuar në rreth një miliard dollarë: bëhet fjalë për piktura të Picasso dhe Matisse.

Krahu i tij i djathtë është Daniel Levy, 56 vjeç, një biznesmen anglez që prej vitit 2001 është edhe president i Tottenhamit. Tifozët më të dalluar të “Spurs”-ave janë muzikantë, Phil Collins dhe Bryan Adams; shkrimtarë, Salman Rushdie; por edhe aktorë, Jamie Bamber dhe Dirk Benedict.

E ardhmja e klubit është e lidhur pashmangshmërisht me stadiumin e ri. “White Hart Lane” është në proces ristrukturimi, e shumë shpejt do të kalojë nga një kapacitet prej 36 mijë vende, në plot 60 mijë vende. Sigurisht do të jetë një stadium me projekt futurist, ku do të luhen edhe ndeshjet e futbollit amerikan. Të ardhurat, gjithsesi i lejojnë “Spurs”-at të sfidojnë edhe të mëdhenjtë e futbollit botëror.

Top Channel