Liverpool-Tottenham, “dramë” deri në frymën e fundit të ndeshjes

04/02/2018 19:32

Një fund dramatik ishte ai i superndeshjes së kësaj jave të 26 të Premier League, mes Liverpoolit dhe Tottenhamit, që çuditërisht përfundoi në barazim 2-2.

Në 10 minutat e fundit të sfidës, përfshi edhe 5 të kohës shtesë, ndodhi gjithçka. Fillimisht u zbatua në praktikë rregulli i pashkruar i futbollit, “Nëse nuk shënon, do ta pësosh!”.

“Red Devils”, që e panë veten në avantazh pas vetëm 3 minutash lojë, falë një “vjedhjeje” që i bëri mbrojtjes londineze Mohamed Salah, i cili e pati të lehtë të shënonte tek për tek me portierin kundërshtar, dhanë sinjalin – siç ka ndodhur shpesh këtë sezon, – se nuk do të mund ta mbronin avantazhin, e në minutën e 80 të takimit, i sapofuturi në lojë për “Hotspurs”-at, Wanyama do të bënte mrekullinë me një supergjuajtje nga jashtë zone, për të barazuar shifrat.

Vetëm 5 minuta nga koha e rregullt, Harry Kane do të humbiste rastin e artë për të kaluar në avantazh ekipin e tij në “Anfield Road”, por shpërdoroi nga pika e bardhë e 11-metërshit. Në minutën e parë shtesë do të shënonte sërish Salah, duke ndezur të pranishmit në stadium, festa e të cilëve nuk do të zgjaste shumë.

Tottenhami do të fitonte një tjetër penallti, por këtë radhë, sulmuesi i kombëtares së Anglisë, i cili po vijon të shkëlqejë edhe këtë sezon, nuk do të gabonte, për të barazuar sërish shifrat në 2-2, rezultat me të cilin do të mbyllej krejt ndeshja.

Top Channel