Fushata zgjedhore për organet drejtuese të Federatës Shqiptare të Futbollit ka hyrë në javët e fundit dhe vëmendja e ndërkombëtarëve është shumë e madhe.

Përfshirja e politikës në këtë fushatë dhe proces zgjedhor mbetet një nga pikat më delikate dhe të paralajmëruara nga UEFA. Në kuadrin e këtij qëndrimi, më datën 1 shkurt në Tiranë do të mbërrijë zv/Presidenti i UEFA-s, Grigori Surkis, i cili mban gjithashtu edhe postin e kryetarit të Komitetit të Federatave në qeverinë europiane të futbollit.

Top Channel ka mësuar se në axhendën e tij do të jetë një takim me krerët më të lartë të shtetit, duke filluar nga kryeministri Edi Rama dhe më pas me Presidentin e Republikës, Ilir Meta. Nuk dihet ende publikisht se cila është arsyeja kryesore e vizitës së tij, por takimet e planifikuara në axhendën e tij, nisur edhe nga qëndrimet e vazhdueshme të UEFA-s, duket se do të kenë si temë kryesore vetëm këtë, ruajtjen e pavarësisë së sportit nga ndërhyrjet e politikës.

Top Channel