Java e Arkivave të Hapura, mbi 300 vizitorë vetëm ditën e parë

18/12/2017 14:53

Java e Arkivave të Hapura ka nisur këtë të hënë ku mbi 300 studentë e qytetarë kanë parë nga afër prapaskenar e arkivit, që nga vendruajtjet e përpunimi te mikrofilmimi, digjitalizimi dhe restaurimi i letrës.

Po ashtu ata do të mund të shohin nga afër Kodikët dhe fermanët, mes të cilëve edhe Kodikun e Beratit, që përbëjnë trashëgiminë më të vyer tonë kulturore kombëtare dhe që është shfaqur rrallë herë në publik.

“Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave po nxjerr në pah “sekretet” e saj, pra prapaskenën, vendet ku ruhen dhe përpunohen dokumentet, mënyrën si restaurohen, si edhe një retrospektivë të të gjitha aktiviteteve ndër vite të saj. Po ashtu, ekspozohen edhe kodikët dhe fermanët, që janë pjesa më e vyer e trashëgimisë sonë kulturore. Kjo është një mënyrë që të sjellim pranë dokumentit, pranë arkivit, pranë historisë, studentët, nxënësit dhe çdo qytetarë të interesuar. Sepse kushdo që bie në kontakt me arkivat, nuk mund të mos bjerë edhe në dashuri me to. Prandaj, në këtë vit të shënuar kombëtar, ne çelim siparin e një tradite që ka si qëllim final rritjen e interest ndaj këtyre pasurive të paçmueshme kombëtare” tha Ardit Bido, drejtor i Arkivave.

Java e Arkivave të Hapura do të qëndrojë e çelur deri më 22 dhjetor. Vetëm në ditën e parë të aktivitetit ishin më shumë se 300 persona që vizituan mjediset e DPA-së.

 

Top Channel