Cristiano Ronaldo mbylli një vit kalendarik spektakolar me fitoren e “Topit të Artë” dhe Botërorin e Klubeve, madje në finalen e madhe të së shtunës ishte vendimtar me golin e shënuar në portën e Gremios. Rrjeta në kuadratin e brazilianëve i dha mundësinë futbollistit luzitan që të vendosë të tjera rekorde në karrierën e atij që po cilësohet ende pa varur këpucët në gozhdë, më fituesi në histori.

Perla nga një goditje dënimi i dha mundësinë formacionit merenges të fitojë për herë të tretë Botërorin e Klubeve, por jo vetëm kaq. Goli në pjesën e dytë ndaj Gremios nuk është banal për Cristiano Ronaldon, edhe për faktin se ai arriti legjendën Pele në një renditje speciale, atë të shënuesve më të mirë të turneut ndërkombëtar.

Në një klasifikim mes kupave interkontinentale dhe tashmë Botërorit të Klubeve, vetëm ish-futbollisti brazilian kishte arritur të shënonte kaq shumë. Tani të dy janë me nga 7 gola, në epoka të ndryshme dhe kualitete po kaq të ndryshëm. Cristiano Ronaldo arkivon kështu një vit që i dha Ligën e Kampioneve, Superkupën e UEFA-s dhe Ligën spanjolle.

Por para trokitjes së gotave për ndërrimin e viteve, ka ende një test për “Topin e Artë”. Të dielën luhet “El Clasiko” e famshme në stadiumin “Bernabeu”, ku Reali do të presë kryesuesen e La Ligss Barcelonën, e shkëputur në renditje.

Top Channel