Nuk ka rezultuar aspak ashtu siç pritej takimi i Interit me Pordenonen, në fazën e 1/8-ave të Kupës së Italisë. Skuadra e Serisë C bëri një rezistencë të jashtëzakonshme, duke e çuar takimin deri te penalltitë.

Spalletti kishte hedhur në fushë futbollistët që kanë luajtur më pak deri tani, duke u dhënë një shans për të treguar vlerën e tyre dhe entuziazmi te zikaltrit u pa që në fillim.

Interi krijoi shumë, por nuk arriti të finalizonte, ndërsa me kalimin e minutave, goli filloi të shndërrohej në një makth. Spalletti ndërhyn duke hedhur në fushë kroatët Brozoviç e Perisiç, si dhe kapiteni Icardi, por as ata nuk arrijnë të ndëshkojnë portierin Perrili.

Pas 120 minutash, takimi përfundon me rrjeta të paprekura dhe 2 skuadrat i drejtohen goditjes së 11-metërshave. Edhe pas 5 penalltive çdo gjë vijonte të ishte e barabartë, 3-3, me Skriniar dhe Gagliardinin, që gabuan për Interin.

Çdo gjë u zgjidh në penalltinë e 7, ku zikaltrit triumfuan falë gjuajtjes së saktë të japonezit Youto Nagatomo, që ekzekutoi saktë dhe kualifikoi Interin e Spallettit.

Top Channel