Pezullim lejeve për autobusët, Ministria: Kontroll dhe anulim për 60 linja

08/12/2017 15:30

60 licenca të dhëna nga Ministria e Transporteve në ditët e fundit që drejtohej nga Sokol Dervishaj për 90 linja autobusesh ndërqytetas do të pezullohen dhe auditohen tashmë nga Ministria e Infrastrakturës.

Një grup pune i ngritur posaçërisht për të analizuar udhëzimin e nxjerrë në korrik të këtij viti, ka dalë në përfundimin se ka mbivendosje licencash.

“Udhëzimi që miraton 90 linja të reja, që krijon problematikën të shfuqizohet dhe në bazë të analizës së bërë nga grupi i punës, është menduar që të bëhet një miratim i linjave që janë të vlefshme”, thotë sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës, Gentian Keri.

Linja e autobusëve që mbivendosen janë kryesisht për zonat e Veriut, por ka dhe për ato në drejtim të Vlorës. Në janar të këtij vit hyri në fuqi një ligj i ri për transportin e ndërqytetas të udhëtarëve me autobus. Ai gati përgjysmonte numrin e linjave dhe vendosete kritere të forta për marrjen e licencave.

Një nga kërkesat e rëndësishme të ligjit është që bashkitë të përcaktojnë vendodhjen e terminaleve të autobusëve, po ashtu shoqëritë duhet të rinovojnë 20 për qind të flotës së mjeteve gjatë vitit të parë licencës, ndërkohë që mjetet duhet të plotësojnë disa kritere teknike.

Top Channel