Schomburg: Gjykata Speciale në Kosovë, diskriminim

30/11/2017 13:26

Gjykata Speciale e themeluar në Kosovë për të hetuar krime të mundshme ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së është një diskriminim për Kosovën. Këtë e tha ish-gjyqtari i Gjykatës së Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi, e cila me dënimin kundër ish-udhëheqësve kroatë të Bosnjës e përfundoi misionin e saj.

Ne një interviste për DW, Wolfgang Schomburg u shpreh: Është e vetëkuptueshme, që në rajone të veçanta edhe mund të ngrihen pretendime për raste të caktuara duke kërkuar, që të zbardhen ato në nivel lokal. Por në rastin e Kosovës unë nuk i kuptoj arsyet dhe kjo më duket si diskriminuese.

Ndërkaq, punën e Gjykatës Ndërkombëtare për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, Schomburg e cilësoi si mjaft të suksesshme. Gjykata sipas tij, tregoi se mund t’i kundërviheshin edhe të mëdhenjve.

“Ne mundëm t’i gjykojmë ata. Më pas hap pas hapi punuam mbi bazën e dëshmive, që ishin mbledhur në proceset e tjera, e kështu arritëm të plotësonim mozaikun. Gjykimi i Mlladiç e Karaxhiç është një sukses i jashtëzakonshëm”

Gjyqtari u ndal edhe tek vetëvrasja demonstrative e kriminelit të luftës Slobodan Praljak pas konfirmimit të dënimit me 20 vjet heqje lirie. Ai tha se një incident i izoluar nuk mund të cenojë imazhin e përgjithshëm të Gjykatës.

Autoritetet holandeze ndërkohë kanë nisur hetimet për të zbuluar se si kishte arritur kroati i Bosnjës të fuste helm në sallën e gjyqit në Hagë.

Top Channel