Skënderbeu, ndaj Dinamos së Kievit për kualifikimin dhe financat

23/11/2017 16:36

Skënderbeu do të luajë mbrëmjen e sotme ndeshjen e pestë të fazës së grupeve të Europa League. Në “Elbasan Arena”, korçarët do të përballen me Dinamon e Kievit, skuadrën që kryeson grupin B.

Ukrainasit vijnë në Elbasan pasi kanë siguruar kualifikimin për në fazën tjetër. Të paktën në letër, ky kualifikim e zbeh motivimin e Dinamos së Kievit për të dhënë maksimumin e vet.

Mundësitë e Skënderbeut për fitore janë reale dhe, në rast fitoreje sonte, kjo do t’i linte të hapura shpresat e kualifikimit. Por jo gjithçka varet nga kjo ndeshje.

Në përballjen paralele të grupit, atë mes Partizanit të Beogradit dhe Yong Boys të Zvicrës duhet që serbët e Partizanit të humbasin, për t’i lënë të hapura mundësitë e Skënderbeut.

Objektivi sportiv i Skënderbeut shoqërohet gjithashtu me një faturë të majme financiare, të paktën për nivelin e futbollit tonë. Skuadra e presidentit Ardjan Takaj, deri në këto momente ka arkëtuar 3 milionë e 760 mijë euro. Gjithsesi, kjo shifër nuk e ka thyer ende rekordin e fazës së grupeve të dy viteve më pare, kur fitimet e skuadrës korçare shkuan në rreth 6 milionë euro.

Atë sezon, Skënderbeu i zhvilloi ndeshjet parakualifikuese në Champions League, ku shpërblimi është edhe më i madh, përpara se të zbriste në fazën e grupeve të Europa League. Në përfundim të fazës së grupeve atë sezon, Skënderbeu u rendit i fundit me 3 pikë, pas një fitoreje, asnjë barazimi dhe 5 humbjesh.

Kurse këtë sezon, korçarët vërtet nuk e kanë provuar ende shijen e fitores, por kanë 2 pikë në sajë të dy barazimeve me Partizanin dhe me Young Boys në Shqipëri, kur u mbeten edhe dy ndeshje për të zhvilluar.

Ndeshja mes Skënderbeut dhe Dinamos së Kievit do të luhet pa tifozë, për shkak të penalizimit nga UEFA, pas thirrjeve raciste në ndeshjen me Partizanin e Beogradit në Elbasan. Megjithatë, të gjithë do të kenë mundësine ta ndjekin ndeshjen drejtpërdrejt në orën 21.0%, në paketën Supersport të platformës Digitalb.

Top Channel