“Ndaj PSG-së aktivizoj 22 futbollistë dhe parkoj dy autobusë”

16/11/2017 18:25

Claudio Ranieri e di mirë se çfarë kundërshtari do të ketë përballë në ndeshjen e së shtunës në Ligue 1, e këtë e ka shprehur pa doreza edhe gjatë konferencës për shtyp.

“Parisi është një superekip. Ne do të luajmë kundër pretendentëve kryesorë për fitimin e kampionatit francez”, ka thënë trajneri i Nantes.

Si italian që është, Ranieri shpreson që Champions League të fitohet nga Juventusi, Napoli apo Roma, por nëse nuk ndodh një gjë e tillë, “shpresoj që të fitojnë parizienët, sepse do të ishte një gjë e mirë për të gjithë futbollin francez, ku bëj pjesë momentalisht”.

Por si mund t’i sfidojë emrat e mëdhenj të Paris SG?

“Nëse do të mundesha do të aktivizoja edhe 22 futbollistë në fushë, ndërkohë që përpara portës do të parkoja dy autobusë… Por meqë nuk mundem, do të zgjidhja të luaja me 5 mbrojtës, siç bëri Montpellier, që arriti të merrte një barazim pa gola ndaj Parisit”, shprehet me nota humori tekniku italian.

E duke i lënë shakatë mënjanë, Ranieri kërkon nga skuadra e tij që të jetë e qetë dhe e vendosur mirë në fushë. “E di mirë që mund të humbasim, por duhet të provojmë të tregojmë cilësitë që kemi treguar deri më sot. Një plan për t’i mposhtur ata ekziston, por besoj se është thjesht një ide fantastiko-shkencore, sepse realiteti është shumë ndryshe”.

Top Channel