Championsi, “fiksim” për Juven. Por jo të ardhurat nga turneu

20/10/2017 17:06

Trofeu i Champions League mbetet ende një fiksim për tifozët bardhezi të Juventusit, të cilët edhe sezonin e kaluar panë t’iu ikte në 90 minutat e fundit objektivi më i rëndësishëm e prestigjioz për klube.

Megjithatë, klubi bardhezi mund të ngushëllohet falë të ardhurave. Askush tjetër si “Zonja e vjetër” nuk ka grumbulluar më shumë të ardhura sesa kampionët e Italisë në edicionin 2016-2017 të këtij turneu.

“Skuadrat që kanë marrë pjesë në fazën e grupeve dhe 10 të eliminuarat në raundet me eliminim të drejtpërdrejtë kanë siguruar në total mbi 1.396 miliardë euro nga UEFA”, shkruhet në komunikatën e qeverisë së futbollit europian në faqen zyrtare të internetit, ku shfaqet edhe lista me 10 ekipet që kanë siguruar më shumë të ardhura gjatë sezonit të kaluar.

Në krye është Juventusi, me 110 milionë e 434 mijë euro. Italianët ndiqen nga anglezët e Leicester me 81 milionë e 681 mijë euro, ndërsa kampionët e Europës, Reali i Madridit ka arkëtuar vetëm 81 milionë e 51 mijë euro, duke lënë pas Napolin me 66 milionë e 9 mijë euro.

Renditja vijon me: Monaco (64.685.000), Arsenal (64.573.000), Atletico Madrid (60.615.000), Barcelona (59.847.000), PSG (55.313.000) dhe Bayern Munchen (54.762.000).

Top Channel