Edhe pse ka vetëm dy javë që është vendosur, skulptura “Valltarët” është dëmtuar duke ngjallur një reagim të madh qytetar. Disa e kanë komentuar këtë si një veprim dhe irritim ndaj së bukurës, por fakti që ka shkaktuar provokim do të thotë që bashkë me të shoqërohet edhe një ndërgjegjësim qytetar kundër veprimeve të tilla.

“Puna ka shkaktuar një farë reagimi te një pjesë e njerëzve. Shumica kanë treguar një pëlqim dhe aprovim, por ka edhe nga ata njerëz që mbase nuk i përballojnë dot emocionet e forta që shkakton e bukura”, tha Besart Papa, skulptor.

Skulptori Besart Papa ka kompozuar dy figura, ku ndërthuret një konceptim i trajtimit modern të formës me traditën tonë. Në pozicion vertikal është një valltare shqiptare me pozicionin e saj lozonjar. Në shtrirjen horizontale është figura e valltarit, ku në pjesën e mesit dallohen disa pala që valëviten, që është fustanella. Mbase ndërthurja e këtyre formave është pjesa ku kjo skulpturë ka shkaktuar provokacion, por kjo ka edhe anën e saj pozitive.

“Koha ka treguar që shumë vepra publike vendosen dhe shumë skulptura parku krijohen dhe njerëzit nuk reagojnë. Rasti i punës sime mbase është pak fatkeq, por patjetër që mund të ribëhet dhe unë them që është një shënjë e mirë”, tha Besart Papa, skulptor.

Kjo skulpturë është një vepër që u shpall fituese një vit më parë nga konkursi kombëtar që zhvilloi Bashkia Tiranë, e që së shpejti do të përurohet. Besart Papa është i njohur edhe si autor i relievit të Papa Klementit, dhuratës që iu bë Papa Françeskut me ardhjen e tij në Shqipëri.

“Unë jam koordinuar me Bashkinë. Përurimi nuk është bërë ende. Do i shtohen disa elementë të tjerë ndriçimi, do rregullohet gjelbërimi. Do bëhet edhe përurimi i denjë besoj dhe i mirë, që do të sensibilizojë edhe njerëzit”, tha Besart Papa.

Top Channel