Kantautori shqiptar, në natën finale të Sanremos

08/02/2017 00:00

Konsiderohet si një prej fituesve të mundshëm të Festivalit të Sanremos këtë vit kantautori Ermal Meta, i lindur në Fier dhe që jeton në Itali që në moshën 13-vjeçare.

Kënga e tij “Vietato Morire” (E ndaluar të vdesësh) u prit me ovacione nga publiku dhe kaloi në natën finale të festivalit që konsiderohet një prej eventeve më të rëndësishme të muzikës së lehtë. Si krijimet e tij të mëparshme, edhe kënga që paraqiti mbrëmjen e së martës në skenë trajton një temë të fortë: atë të dhunës në familje.

Ermal Meta ka nisur karrierën e tij me grupin Ameba e më pas me La Fame di Camilla, me të cilin qe paraqitur në Sanremo në kategorinë e të rinjve në vitin 2006, e më pas në 2010. Prej disa vitesh ai po paraqitet si solist, por është shumë i vlerësuar për kompozimet. Ka shkruar disa prej këngëve më të njohura të Patty Pravos, Marco Mengonit e Giusy Ferrerit. Nuk kanë munguar edhe këngët në shqip që kanë zënë vend në albumet e tij.

Në mbrëmjen finale të festivalit, ku do të ngjiten në skenë vetëm 16 këngëtarë, përveç këngës së tij, ai mund të interpretojë edhe “Amara terra mia”, një këngë të njohur të Domenico Modugnos.

Top Channel