Keqardhja për humbjen e Agollit, Islami kritikohet për foton

04/02/2017 00:00

Të dielën do të zhvillohen homazhet për shkrimtarin e madh shqiptar Dritëro Agolli, i cili u nda nga jeta pasditen e së premtes.

Ministria e Kulturës do kujdeset për ceremoninë e lamtumirës për Dritëroin. Humbja e shkrimtarit solli reagime dhe keqardhje. Poezitë e tij janë më të postuarat në rrjetet sociale gjatë orëve të fundit.

Reagimet për ndarjen nga jeta të kolosit shqiptar, bënë bashkë të gjithë drejtuesit e shtetit në Shqipëri e Kosovë. Kreu i qeverisë Edi Rama ndau me ndjekësit e tij në rrjetet sociale foton e shkrimtarit, duke vlerësuar atë që ai e cilësoi një mal të lartë përjetësie që do të kthehet në një vend pelegrinazhi për adhuruesit e letrave shqipe.

Për kreun e opozitës Lulzim Basha, Dritëroi ishte një ndër të paktët shqiptarë që kanë ndikuar në ndërgjegjen dhe emocionet tona.

Nuk mungoi as reagimi i Presidentit të Kosovës HashimThaçi për ngjarjen. Ai e vlerëson shkrimtarin dhe politikanin Agolli, si autentik në krijimtari dhe politikë. Një nga postimet që ngjalli më shumë reagime ishte një foto e deputetit demokrat Kastriot Islami. Në një postim në Facebook ai nxjerr një foto me Agollin në agoni, ndërsa vetë duke buzëqeshur.

Një nga reagimet më të forta ai i Ardian Vehbiut. Në portalin e tij komenton kështu për këtë foto makabër të Kastriot Islamit: një foto e rrallë e xhebrailit. Sigurisht nuk e kishte fjalën për Dritëro Agollin.

Top Channel