Trashëgimi i mjeshtërisë; Mbi 100 të rinj, do punojnë me 60 mjeshtrat e gurit

13/12/2016 00:00

100 çirakë, të rinj të apasionuar pas gdhendjes së gurit, drurit dhe materialeve të tjera do të punojnë krah 60 mjeshtrave për të mësuar  teknikat e ndërtimit dhe restaurimit.

Projekti i mundësuar nga një sërë partneresh ndërkombëtarë në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe atë të Mirëqenies Sociale, do t’u ofrojë të rinjve 6 muaj trajnim në Korçë, Gjirokastër e Berat me qëllim trashëgimin e këtyre mjeshtërive tek brezat e rinj.

“Rrëfenja e Pinokut nuk duhet të na kujtojë gënjeshtrën, por teknikën se si i jepet drurit jetë”, u shpreh Kumbaro.

Albert Kasi, krahas drejtimit te Qendrës Kulturore në Rajonin e Gjirokastër, është një skulptor, i cili shijen estetike të gdhendjes së gurit dëshiron t’ua transmetojë edhe të rinjve të qytetit të tij.

“Përveç masonerisë, Gjirokastra ka shumë dekorë në gur e dru, tavanë të papërsëritshëm, ku në trajnim do të kemi gdhendjen artistike të këtyre materialeve. Do të jem një prej atyre që do të mësojnë të rinjtë të bëjnë gdhendjen artistike. Është iniciativë shumë e mirë për ruajtjen e transmetimin e trashëgimisë kulturore në brezat e ardhshëm”, tha Albert Kasi, skulptor.

Në kohën kur arti i gdhendjes së materialeve duket si një mjeshtëri në zhdukje, të rinjtë po përpiqen të ruajnë vlerat e trashëgimisë kulturore.

“Deri tani kemi aplikime të mjaftueshme, situata duket premtuese”, shtoi Kasi.

Top Channel