Kryevepra e Puccinit në TKOB

23/11/2016 00:00

Kryevepra e Puccinit, “La Boheme” ringjit këtë fundjavë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit Eva Golemin në rolin e Mimisë. Për sopranon e njohur me një sezon të pasur artistikisht, roli i rrobaqepëses së varfër është ndër të preferuarit e saj.

“Çdo vit vjen ndryshe, si nga ana skenike, ashtu edhe nga ana vokale. Unë jam shumë e lumtur që riluaj rolin e Mimisë. Më pëlqen jashtëzakonisht si rol. Ka qenë shumë i ngjeshur kalendari për mua. Pas Madame Butterfly, tani Mimi, pastaj do të jete Traviata. Ku ka më bukur se të qënit në skenë”, thotë sopranoja.

Një vit më parë, Golemi veshi petkat e Mimisë, pas 10 vitesh mungesë, ndërsa këtë herë ka vendosur “ta zgjojë” personazhin e saj.

“Sa herë që del në skenë sjell gjithnjë diçka të re nga ana skenike. Mbase vij më e zhdërvjellët këtë herë, pasi deri tani Mimija ka qenë paksa e fjetur. Nga ana vokale  jam më mirë do thosha”, shton Eva Golemi.

“La Boheme” sjell dashurinë e Rodolfos me Miminë në operan me 4 akte, ku rolin e poetit e interpreton tenori nga Kirgizistani.

“Jemi më të sigurtë këtë herë, krahasuar me një vit më parë. “La Boheme” mund të them se është opera e jetës. Këtë vit regjisori ka sjellë elementë të rinj, pasi risia gjithnjë tërheq publikun, apo jo?”, thotë tenori Jenish Ysmanov.

“La Boheme” nën dirigjimin e Salvatore Percacciolo do të shfaqet premierë për publikun këtë të premte.

Top Channel