30 vite më parë, në Sorrento të Italisë u ngjiz kënga aq e famshme “Caruso”, kompozim i Luco Dalles, e cila u bë e dashur jo vetëm për publikun italian, por edhe për atë shqiptar.

Pas 3 dekadash, ekzistenca, raportet njerëzore e nostalgjia e emigrantit kanë frymëzuar koreografin italian që ta zbërthejë këngën në një balet bashkëkohor në një teknikë të vështirë, ku balerinët krijojnë skulptura në lëvizje.

“Skulptura njerëzore sepse është shumë e rëndësishme që t’i tregojmë publikut diçka që shkon drejtpërdrejtë, më shumë vizive sesa konceptuale. Kërcimi nis me atë klasik, por bashkohet me modernen për të mbërritur në atë që ne e quajmë akro-balancë, ku ndërtohen struktura njerëzore. Muzika është e alternuar. Dëgjohet Caruso e Luco Dalles, e cila është e masterizuar, por dëgjohet  edhe muzika etnike popullore italiane”, thotë koreografi Mvula Sungani.

“Caruso” është pjesë e një turi, ku do të shëtisë në 100 shtete, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria.

“Në Shqipëri, sepse jemi shumë të afeksionuar, na pëlqen shumë. Kemi parë folklorin tuaj që është shumë i bukur, në nivelin e baletit teknikisht ju jeni shumë të rëndësishëm, pasi në Itali pjesa më e madhe e balerinëve tanë janë shqiptarë, të cilët vijne prej këtu, nga shkolla juaj, ndaj donim të bënim këtë shkëmbim ndërkombëtar”, thotë koreografi.
 
“Caruso” do të shfaqet për publikun mbrëmjen e së martës në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Top Channel