Filmi që çmitizon luftën

04/11/2016 00:00

“Home sweet home”, filmi me regji të Faton Bajraktarit dhe skenar të Zymber Kelmendit, me shumë gjasa do të përfaqësojë Kosovën në garën “Oscar”. Megjithëse lista zyrtare shpallet pas 15 dhjetorit, sfida është pothuajse e fituar, pas lobimit dhe kritikes pozitive për filmin.

“Po besoj qe e kemi fituar edhe këtë sfidë”, u shpreh regjisori Bajraktari.

Drama e rikthimit gjallë të Agronit, të shpallur dëshmor dhe që kupton se ai i shërben më shumë familjes dhe shoqërisë si i vdekur se sa si i gjallë.

“Nuk dua që të lëndoj familjet e dëshmorëve, por ne të bëjmë më shumë për ata njerëz sepse në këtë moment unë jam në Tiranë, kurse para pak vitesh nuk guxoja as të thosha ‘Shqipëri’”, tha skenaristi Kelmendi.

Ky film çeli Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë, duke mbërritur tashmë në edicionin e 14.

Me 1100 aplikime nga 120 vende të botës, TIFF ja ka dalë që edicion pas edicioni të tërheqë vëmendjen e kineastëve. Në këtë edicion janë përzgjedhur të shfaqen 220 filma.

“Ishte një detyrim që ta bënim këtë program retrospektivë me një emër Kiarostami, një homazh për një regjisor të madh”, u shpreh drejtori i festivalit, Agron Domi.

Në 80 vjetorin e lindjes dhe duke lënë pas një emër dhe një punë që do ju shërbejë brezave të ardhshëm të kinematografisë shqipe, Dhimitër Anagnosti, mori kupën e mirënjohjes së festivalit.

“Besoj që do të vazhdojë kineastët e rinj për të realizuar edhe më tej, edhe më mirë, se çkemi bërë ne në atë kohë”, tha Anagnosti.

Top Channel