Shkarkohet Rafa Benitez, Zidane trajner i ri i Realit

04/01/2016 20:15

Rafa Benitez nuk është më trajner i Realit. Gjatë një konference për media të zhvilluar mbrëmjen e së hënës në ambientet e stadiumit “Santiago Bernabeu”, Perez ka zyrtarizuar legjendën Zinedine Zidane si pasues të spanjollit.

“Rafa Benitez është një profesionist dhe një person i mrekullueshëm. Ne kemi vendosur që Zinedine Zidane të jetë trajner i ri i Realit”, u shpreh Perez.

Shkarkimi i Benitez erdhi pas një mbledhje te gjatë të bordit të drejtorëve që u ftua nga Perez. Barazimi me Valencian 2-2 vendosi edhe fatin e spanjollit i cili besohet se nuk kishte marrëdhënie të mira me lojtarët.

Sidoqoftë, Perez ka prezantuar francezin Zidane duke thënë se do të ketë të gjithë mbështetjen.

“Kjo është skuadra jote, ky është stadiumi yt dhe ti do të kesh të gjithë mbështetjen. Nga ky moment je trajner i Realit. E di që fjala ‘e pamundur’ nuk ekziston në fjalorin tënd”, tha Perez para se të lironte vendin për Zidane.

“Kjo është skuadra më e mirë me tifozët më të mirë në botë. Do të bëj të pamundurën që skuadra të mbyllë sezonin me një trofe. Do të punojmë fort, bashkë me lojtarët dhe besoj se gjithçka do të shkojë mirë. Nga nesër (e martë) filloj punën”, u shpreh Zidane.

Ndeshja e parë e trajnerit të ri, Zinedine Zidane, do të jetë në fundjavë ndaj Deportivos.

Top Channel