Ibra: Ose iki, ose rrah Guardiolën!

04/11/2011 15:45

Nga Barcelona vijnë reagimet e para pas publikimit të një pjese të autobiografisë së Zlatan Ibrahimovic nga gazeta suedeze ‘Afonblandet’.

Në një intervistë për radion katalanase RAC1, zëvendëspresidenti i klubit blaugrana, Carles Vilarrubi, ka zbuluar se në një bashkëbisedim me presidentin Rosell, në prani të agjentit të tij Mino Raiola, sulmuesi suedez kërcënoi se do të rrihte Pep Guardiolën para mediave nëse Barcelona nuk do të lejonte transferimin e tij tek Milani.

Raiola, agjenti i Ibrahimovic, sipas Vilarrubi, ka thënë në takim : “Ibra është nga ata që e bën, kini kujdes.”

Nga ana e tij, Lionel Messi, i cili ishte shkaku kryesor i pakënaqësive të qendërsulmuesit kuqezi në kohën që luante për Barcelonën, ka mohuar të ketë pasur mosmarrëveshje me Ibrën.

“Nuk e di se çfarë mendonte Zlatan, por unë ndihesha mirë në fushë me të, ashtu si të gjithë shokët e mi. Nëse Ibra ka pasur ndonjë problem, e ka pasur me trajnerin dhe jo me ne”, tha Messi për ‘El Mundo Deportivo’.

Sipas Ibrahimovic, problemet me Guardiolën nisën kur ky i fundit vendosi të spostonte Messin nga krahu i sulmit në qendër të tij.

Top Channel