Fituesi i 20-time çmimeve Grammy, Springsteen kishte gjeneruar rreth $15 milionë të ardhura nga muzika e tij vetëm vitin e kaluar, ndërsa tani hoqi dorë prej saj për 500 milionë dollarë.
Rockeri amerikan Bruce Springsteen ka shitur të drejtat e autorit për të gjithë repertorin muzikor të jetës së tij te kompania Sony ku përfshihen 20 albumet, këngët klasike si ‘Born To Run’, ‘The Rive’r e ‘Born In The USA’, raportojnë mediat amerikane .
Marrëveshja e tij vjen pas lëvizjeve të ngjashme edhe nga Bob Dylan, Blondie dhe këngëtari David Boëie.
Kompania Warner Music bleu të drejtat e muzikës së Bowie në shtator, kurse Dylan shiti katalogun e rreth 600 këngëve të tij një vit më parë te grupi Universal Music Group për një shumë prej rreth $300mln.
Marrëveshja sjell siguri financiare për artistin kurse zotëruesit e të drejtave tashmë kërkojnë të përfitojnë me shpërndarje me pagesë në rrjet ose me liçensimet e filmave, programeve televizive dhe mënyrave të tjera të honorareve.
Kreu ekzekutiv i Sony Music, Rob Stringer, tha se kompania ka shpenzuar $1.4 miliardë në blerje të drejtash në gjashtë muajt e fundit.
Mes tyre perfshihet e drejta e të gjithë katalogut muzikor të Paul Simon.
Marrëveshja e Springsteen është më e shtrenjta deri tani, nëse shifrat e raportuara nga Billboard janë korrekte.
Springsteen është një nga muzikantët ‘rock’ më të suksesshëm të të gjitha kohërave.
Ai ka lindur dhe është rritur në New Jersey.
Reputacioni i tij është çimentuar në 1974, kur kritiku Jon Landau tha për një nga koncertet e tij:
“Të enjten në skenën e teatrit Harvard pashë historinë e rock’n’roll të më kalonte para syve”.
“Dhe pashë se e ardhmja e rock-ut është Bruce Springsteen. Në një natë kur kisha nevojë të ndjehesha i ri, ai më bëri të ndjehesha sikur po dëgjoja muzikë për herë të parë”.
Top Channel