Paris Saint Germain me probleme para sfidës me Barcelonën, Nuno Mendes dëmtohet në sfidën me Strasbourg
Kur Serse, mbreti i persianëve i kërkoi Leonidës të dorëzojë armët, ai iu përgjigj: ‘Hajde merri’. Arda Turan i ngjan Leonidas, qëndrim krenar dhe me mjekrën që valëvitet në erë dhe pasi luftoi në disa fronte, e gjeti Spartën e tij në Ukrainë.
Prej dhjetëra vitesh, Shakhtar Donetsk është bastioni i fundit i pazbutur i futbollit të Evropës Lindore dhe ai e drejton prej një viti e gjysmë dhe po e çon përpara këtë kryevepër të inxhinierisë futbollistike edhe në Ligën e Kampioneve të cilën do ta shohim kundër Interit. Me shumë futbollistë brazilianë, një moshë mesatare të re dhe krenarinë e një populli që nuk ul kokën përballë luftës
Një vit e gjysmë në timon; çfarë skuadre është Shakhtari i Arda Turan?
‘Kur erdha gjeta një skuadër me talente që kishte nevojë të ndërtonte një identitet të fortë kolektiv. Në sezonin tonë të patë fituam kampionatin dhe arritëm në gjysmëfinale të Conference League, tani duam të tregojmë se edhe në Champions mund të përballei në një nivel ku shpesh vendosin detajet dhe ku edhe një pozicion i gabuar i trupit mund të të kushtojë shtrenjtë. Kemi një sistem loje ku besojmë, dimë gjithnjë çfarë të bëjmë, duam të kontrollojmë ndeshjen, të kemi topin në zotërim dhe të reagojmë menjëhere nëse e humbasim. Dhe në këndvështrimin sportiv, ajo që po bëjmë është shumë e vështirë edhe pse nuk dua që të perceptohet si një justifikim’
Aludim për luftën?
‘Po. Kalojmë orë të tëra duke udhëtuar me autobus dhe me trena, pa iu dhënë futbollistëve kohën per t’u rikuperuar. Mezi gjejmë kohën për t’u stërvitur për ndeshjet evropiane dhe udhëtimet tona mesatarisht zgjasin 14-16 orë. Ndonjëherë nuk kthehemi as në shtëpi. Nuk duhet të mbajmë parasysh vetëm ngarkesën e ndeshjeve, por edhe lodhjen që shkaktojnë këto udhëtime. Është thuajse e pamundur të përballosh këtë kalendar në këndvështrimin shkencor, jemi një skuadër e re dhe djemtë me më pak eksperiencë janë më të ekspozuar ndaj dëmtimeve. Falenderoj klubin, ndonjëherë përgatit plane të pabesueshme për të reduktuar në minimum impaktin e konfliktit mbi ne’
Quhet Shakhtar Donetsk, por në fakt në Donetsk nuk ka shkelu prej më shumë se 10 vitesh
‘E përsëris, nuk dua që të jetë një justifikim. Por në të njëjtën kohë nuk mund të pranojmë këtë si një situatë normale. Në Ukrainë ka luftë, çdo ditë njerëzit vdesin dhe bota duhet ta dijë. Njerëzit shfaqin një forcë dhe një rezistencë të pabesueshme, nuk e ka humbur gëzimin për të jetuar, Mund të kalojnë natën në një bunker dhe të dalin në mëngjesin tjetër, të shkojnë në punë apo të çojnë fëmijët në shkollë. Refuzojnë që të lejojnë jetën të ndalet. Përballë një populli kështu, për ne do të ishte e padrejtë që të ankohemi. Futbolli për disa orë mund t’iu japë lumturi këtyre njerëzve; nuk jemi vetëm një skuadër, përfaqësojmë shpresën e një vendi’.
A ka një moment apo një histori që të ka bërë përshtypje?
‘Vitin e kaluar humbëm në shtëpi 4-1 me Linz. Një ditë para, Leopoli u godit nga një sulm i fortë, njerëzit e kishin kaluar natën në një strehim. Pas ndeshjes u zemrova dhe në një pikë u gjenda përballë një fëmije 8 vjec. Quhet Roman, është një tifoz i Shakhtarit, shtëpia e tij ishte bombarduar, kishte humbur nënën e tij dhe kishtë kryer 35 operacione. Më tha: ‘trajner, mos u trishto. Në jetë ka ditë të bukura dhe ditë të shëmtuara. Duhet të shohësh para’. Duke marrë në konsideratë atë që kishte kaluar, ishte një mënyrë e jashtë zakonshme për të parë drejt së ardhmes. Atë ditë mora nga Roman një nga leksionet më të rëndësishme të jetës sime; profesioni ynë duhet të respektohetn dhe duhet të bëjmë çfarë të mundim për të bërë njerëzit të lumtur, por pa harruar kurrë që është një lojë, ndërsa jeta reale është më e madhe. Roman ma kujtoi; qëndruam në kontakt dhe takohemi sa herë kemi mundësi’.
Bie alarmi dhe duhet të shkosh në strehim. Çfarë ndjen në ato momente?
‘Nuk mund ta kuptosh përsa kohë nuk e përjeton. Bie alarmi dhe nuk mendon për veten tënde por për familjen, luftëtarët dhe personat e dashur. Kur pashë Isaque kundër PSV në ndeshjen e tij të parë në Champions më erdhi në mendje një foto që kam në telefon; gjatë një bombardimi në hollin e hotelit e mbulova me një batanije teksa ai përpiqej të flinte siç do të bëja me fëmijët e mi. Ai imazh tregon për skuadrën tonë, kujdesemi për njëri tjetrin dhe vazhdojmë përpara’
Edhe me ju, Shakhtari është Brazili i Evropës
‘Futbollistëve të mi iu them gjithmonë: ‘luani si Shakhtari’ dhe nuk besoj se është diçka banale, sepse prej vitesh kemi një identitet të konsoliduar. Brazilianët vijnë këtu më një potencial të madh, ne kërkojmë t’i drejtojmë drejt një futbolli modern që kërkon më shumë kontakt fizik dhe duele’
Shumë brazilianë e shumë të rinj. Është një avantazh apo ndjeni mungesën e eksperiencës?
‘Të rinjve u jap liri të pakufizuar për të gabuar, për sa kohë që i qëndrojnë besnikë sistemit të lojës. Nuk do ta fajësoj kurrë një lojtar për një gabim të bërë teksa zbaton parimet tona. E di këtë nga përvoja ime, sepse kur isha 18 apo 19 vjeç, edhe unë e shihja lojën ndryshe dhe mendoja se mund t’i zgjidhja të gjitha me talentin tim.Te Galatasaray, trajneri im ishte Rijkaard. Në stërvitje i dribloja të gjithë. Një ditë, Frank e ndali stërvitjen dhe tha: ‘Arda, ç’kuptim ka të driblosh 10 kundërshtarë në gjysmën e fushës tënde? Nëse ke besim te vetja, bëje këtë në zonën e fundit të sulmit. Aty ka vërtet vlerë!’’
Çfarë trajneri është Arda Turan? Nga frymëzohet?
‘Në aspektin mbrojtës, marr shumë nga Simeone: pozicionimi, ngjeshja e repartit, presingu dhe mbyllja e linjave të pasimit. Në sulm, frymëzohem nga Luis Enrique për mënyrën se si kërkon zgjidhje për të çarë mbrojtjet e vendosura mirë. Në marrëdhëniet me lojtarët dhe menaxhimin e stresit, mendoj për Terimin; në përgatitjen parasezonale, për profesor Ortegan; ndërsa në organizimin e goditjeve standarde, për Mono Burgos…Por një trajner nuk e ndërton identitetin e tij duke u ndikuar vetëm nga një person. Mëson nga të gjithë dhe më pas i përfshin ato mësime në sistemin e vet.’
Te Atletico Madrid, Simeone shfaqte fjalimin e Al Pacinos te filmi ‘Çdo e dielë e mallkuar’. Ti si i motivon lojtarët e tu?
‘Nëse dëshiron të kesh sukses, duhet të dalësh nga zona e rehatisë. Kjo ishte një nga arsyet që më shtynë të vija te Shakhtari.Motivimi nuk qëndron vetëm te fjalimet para ndeshjes. Heshtja, një këngë, një film, një histori apo një bisedë e shkurtër dhe e sinqertë me një lojtar mund të kenë një ndikim shumë më të madh nga sa mund ta imagjinosh.Më pëlqen t’i lidh lojtarët me realitetin ku jetojmë: Pse luajmë këtu? Çfarë u detyrohemi këtyre njerëzve? Kur gjen përgjigjet për këto pyetje, motivimi nuk vjen më nga jashtë, por shndërrohet në një forcë që buron nga brenda.’
Përpara 12 vitesh ishit shumë pranë kalimit te Interi. Do të të kishte pëlqyer?
‘Interi është një nga markat më të mëdha të futbollit botëror, por karriera ime si lojtar i përket së kaluarës dhe nuk do të kishte kuptim të jetoja me hamendësime për atë që mund të kishte ndodhur. E respektoj dhe e admiroj Interin, por shijoj të tashmen.’
Të pëlqen Interi i Chivut? Deri ku mund të shkojë në Champions League?
‘Chivu bëri një punë të jashtëzakonshme sezonin e kaluar. Të rikthehesh te fitoret nuk është e lehtë, sidomos në Serie A, një nga kampionatet më të vështira në botë. Energjia që shoh në fushë te Interi më tregon se mes Chivut dhe lojtarëve të tij ekziston një lidhje shumë e fortë. Kjo është një nga gjërat që vlerësoj më shumë te Cristiani, sepse në këtë nivel mund të bëjë diferencën dhe t’i japë skuadrës diçka më shumë. Ky Inter është një skuadër që ka potencialin të fitojë në çdo kompeticion ku merr pjesë’
Shikon edhe pikë të dobëta?
‘Më duket mungesë respekti që të flas publikisht, vetëm shpresojmë që të jemi në gjendje të zbulojmë brishtësinë e tyre dhe të përfitojmë’
Ke luajtur shumë herë bashkë me Calhanoglu, tani përballesh me të si trajner
‘Hakani për mua është më shumë se një ish-shok skuadre. Është një vëlla, kapiteni i Turqisë dhe kam një dashuri të jashtëzakonshme për të. Në fushë është i jashtëzakonshëm: dikton ritmin e lojës, merr gjithmonë vendimin e duhur edhe nën presion dhe është një lider i vërtetë. Të luash kundër tij është gjithmonë e vështirë, por unë preferoj ta shoh këtë përballje nga ana emocionale: dy njerëz që e kanë përfaqësuar futbollin turk në nivelet më të larta do të gjenden përballë njëri-tjetrit.’
Kush e fiton Ligën e Kampioneve?
‘PSG dhe Bayerni janë favoritet, Barcelona mund të jetë surpriza dhe edhe Interi mund të shkojë larg. Por nëse do të zgjidhja një skuadër, do të doja të fitonte Atletico’
Nëse ndonjë prej lojtarëve të tu do të hiqte këpucën dhe do t’ia hidhte kundër arbitrit të katërt, çfarë do t’i thoje? Ty të ka ndodhur te Atletico-Barcelona në 2015.
‘’Sigurohu që të mos e godasësh’,(Qesh) Çështja është se si trajner përgjegjësitë e tua rriten; nëse lojtari im do të kishte të drejtë që të zemërohej, do t’i thoja që e kuptoj. Do të ishte e gabuar mënyra sesi do ta shprehte’
‘Arda Turan është Beckham që luan si një luftëtar’, shkruante dikush. Ka një futbollist që sot të kujton veten tënde?
‘Ndonjëherë Álex Baena, megjithëse ai ka më shumë prirje për të shënuar dhe është më agresiv se ç’isha unë. E konsideroj një kompliment atë krahasim dhe shpresoj që t’i jetë referuar edhe pamjes sime. (Qesh.)’.
Top Channel