“Daljen e turqve e firmosi Belinda Balluku”/ Debat në Top Story për koncesionin e aeroportit, Curri: Kush na i kontrollon qiejt rusët apo turqit?
Aeroporti i Vlorës u prezantua si një projekt strategjik, si një premtim për zhvillim, turizëm dhe investime.
Sot, historia e tij ka edhe një tjetër fjalë në mes: arbitrazh. Dhe pyetja nuk është vetëm kush ka të drejtë në konfliktin mes palëve por kur u firmos kontrata, kush mendoi për rrezikun që mund t’i mbetej shtetit? A u parashikuan konfliktet?
Për këtë u zhvillua edhe një debat në studion e ‘Top Story’, mes analistit Arion Sulo dhe juristit Ylli Manjani.
Manjani tregoi se, sipas tij Pacolli kishte shkuar në Luksemburg, në një institucion krediti me pronar anonim, dhe kishte marr 100 mln euro kredi në emër të MACBO-s duke lënë asetet e aeroportit si kolateral.
Sulo ka ndërhyrë duke u shprehur se pas konfliktit mes Pacollit dhe Ademit, duhet të kishte ndërhyrë edhe ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, duke thënë se Balluku aso kohe, sipas ligjit duhet të bënte një tender tjetër.
Manjani: Janë dy linja paralele. E para është debati mes ortakëve. Ka dy ortakë, Pacolli dhe Ademi. Kur e kanë fituar këtë në tavolinë, se në tavolinë bëhen punët, qeveria shqiptare ka marrë një risk shumë të madh, sepse është një projekt me fitim të garantuar. Ka dy probleme: faza e ndërtimit, sherri mes ortakëve. Debati është serioz, jo se u zunë dy shqiptarët. Kanë shkuar në gjyq. E dyta ka të bëjë me financimin e projektit. Kjo është pikëpyetja më e madhe, sepse ti nisësh për të futur në treg emra të mëdhenj, por këta nuk nxjerrin lekë nga xhepi, por marrin kredi. Kur ka filluar koncesioni, me lejen e shtetit këta morën një kredi 56 mln. Problemi ka lindur te kredia e dytë.
Pacolli shkon në Luksemburg, në një institucion krediti me pronar anonim, dhe merr 100 mln euro kredi në emër të MACBO-s dhe shkruan në kontratë që, në një çast të dytë, asetet e aeroportit mund të vihen si kolateral në efekt të asaj kredie. Vjen në Vlorë dhe i thotë administratorit: “Firmose letrën e pranimit”. Jo, thotë ai. Pastaj ka lindur konflikti me Ademin. Ikën nga puna administratori i VIA-s, vjen një i dytë, nuk firmos as ai. Ndërkohë, ky i ka marrë 100 mln eurot dhe mendohet që një pjesë të këtyre parave i kanë çuar në Afrikë, në investime të tjera në emër të aeroportit. Qeveria duhet ta ndalonte atë pisllëk, atë poshtërsi.
Sulo: Ky version është hapur nga kundërshtarët e Bexhetit.
Manjani: Çfarë do të thotë kundërshtarët e Bexhetit? Unë nuk jam. Kam gjetur informacione. Pacolli është mashtrues, është e turpshme për atë që bëri.
Sulo: Ajo që është bërë është krejt tjetër. Këto janë disa versione, por nuk është bërë, o Ylli.
Manjani: Nuk thashë që është bërë. Thashë që ka tentuar, por nuk e ka bërë.
Sulo: Ti, nga gjithë aeroporti, nga VIA, ti nxore rusët.
Manjani: Nuk i përmenda.
Sulo: Nxorre fondin e Luksemburgut që nuk është bërë.
Manjani: Lekët janë marrë. Kontrata është për financimin e VIA-s.
Sulo: Çështja është këtu. Turqit dihej që do iknin.
Manjani: Unë nuk e di këtë.
Sulo: Turqit dihej që do iknin. Kur ikën ata, duhej që Balluku të bënte prapë tender me ligj.
Manjani: Ç’a ligji?
Sulo: Ligji i koncesioneve. Ikën një me ekspertizë, bie ekspertiza.
Manjani: Ku hyn Balluku këtu?
Sulo: Balluku nuk e zëvendësoi firmën e ekspertizës.
Manjani: Pra, është korrupsion.
Sulo: Është shkelje ligji. Kontratë për shitje aksionesh nuk bëhet pa ministrinë.
Top Channel