Dita e 95-të e protestës, thirrje për rrethimin e Kryeministrisë më 7 shtator: Nuk keni parë asgjë akoma

02/09/2026 19:55

Protesta e 95-t para Kryeministrisë po zhvilluar këtë të mërkurë, me protestuesit që vijojnë të kërkojnë largimin e qeverisë së drejtuar nga Edi Rama. Pas 94 ditësh protestash të njëpasnjëshme, thirrjet e protestuesve janë ashpërsuar, ndërsa fokusi tashmë është te protesta e 7 shtatorit, kur mbushen 100 ditë nga nisja e kësaj rezistence.

Gjatë protestës, një prej pjesëmarrësve e cilësoi tubimin e një dite më parë si një “paralajmërim” për kryeministrin Rama. Ai tha se protestuesit do të vijojnë të qëndrojnë para godinës së Kryeministrisë deri në largimin e qeverisë, ndërsa për 7 shtatorin bëri thirrje për një mobilizim më të madh.

Sipas tij, synimi i protestuesve është që në 100-ditorin e protestave të rrethohet e gjithë godina e Kryeministrisë, duke e paraqitur këtë si një formë presioni politik ndaj qeverisë.

“Në ditën e 94-të, i dolëm përballë Ramës, kokës së krimit dhe i treguam se nuk ikim derisa të ikësh ti. Sot, mesa duket, është kujdesur të ikë nga zyra para se të vijmë ne. Kështu që të gjithë duhet të jemi gati në çdo moment e ditë që, kur ta shohim si kokën e krimit dhe korrupsionit, është detyra qytetare që t’i dalim para dhe t’i tregojmë se nuk kemi frikë”, u shpreh protestuesi.

Ai e cilësoi largimin e kryeministrit nga godina gjatë protestës së mëparshme si një shenjë të presionit të krijuar nga tubimet dhe paralajmëroi se protestat do të vijojnë.

“Ne do të qëndrojmë derisa ai dhe qeveria e tij të largohen. Dua t’i them Edi Ramës se ajo që ke parë për 95 ditë, ajo që ke parë dje, nuk është asgjë, sepse nuk ke parë asgjë akoma”, tha ai.

Duke iu referuar protestës së 7 shtatorit, kur shënohen 100 ditë nga nisja e protestave, ai u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen tubimit dhe të rrethojnë godinën e Kryeministrisë.

“7 shtatorin, në 100-ditëshin e kësaj rezistence paqësore, i bëj thirrje çdo shqiptari që jo vetëm të bllokojë hyrjen e Kryeministrisë, por ta rrethojë të gjithën”, deklaroi ai.

Në vijim, protestuesi përmendi edhe mundësinë që kryeministri të largohej nga godina me helikopter, duke theksuar se, sipas tij, protesta nuk drejtohet kundër institucionit të Kryeministrisë, por personalisht ndaj Edi Ramës.

“Nëse dje i bllokuam hyrjen, duke rrethuar të gjithë Kryeministrinë, ai mund të largohet me një helikopter për të mos u kthyer më. Ne e kemi me Edi Ramën si koka e krimit dhe korrupsionit, jo me institucionin”, përfundoi ai.

Top Channel