Sofia Moreira de Sousa është ambasadorja e re e Bashkimit Evropian në Shqipëri.
Diplomatja portugeze ‘merr stafetën’ nga Silvio Gonzato, diplomati italian i cili ka përfunduar mandatin.
De Sousa pritet të dorëzojë sot letrat kredenciale të presidenti, Bajram Begaj, ceremoni e cila do të formalizojë nisjen e mandatit të diplomates portugeze.
Përpara ardhjes në Shqipëri, Moreira de Sousa drejtoi Përfaqësinë e Komisionit Europian në Portugali, detyrë të cilën e mori në shtator 2021. Ajo ka shërbyer gjithashtu si ambasadore e BE-së dhe shefe e Delegacionit të Bashkimit Europian në Republikën e Kepit të Gjelbër, ku qëndroi për katër vjet.
Emërimi i saj vjen në një periudhë kur marrëdhëniet Shqipëri-BE dhe procesi i integrimit evropian mbeten ndër çështjet kryesore të agjendës politike dhe diplomatike të vendit.
Ndërkohë presidenti Bajram Begaj priti sot Ambasadoren e re të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, znj. Sofia Moreira de Sousa, me rastin e paraqitjes së letrave kredenciale.
Presidenti Begaj i uroi Ambasadores suksese në detyrën e saj në krye të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, duke vlerësuar rolin kyç të këtij institucioni në forcimin e marrëdhënieve mes Tiranës dhe Brukselit dhe në mbështetjen e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Kreu i Shtetit shprehu besimin se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve shqiptare dhe Delegacionit të BE-së në Tiranë do të vijojë të thellohet, me synim arritjen e objektivit strategjik të Shqipërisë për anëtarësim të plotë në vitin 2030.
Presidenti Begaj vlerësoi mbështetjen politike, financiare dhe teknike të Bashkimit Evropian për reformat transformuese në Shqipëri, duke theksuar se Delegacioni i BE-së në Tiranë është një partner i besuar dhe një bashkëpunëtor i rëndësishëm në këtë proces.
Gjatë takimit u diskutua ecuria e negociatave të anëtarësimit dhe angazhimi i Shqipërisë për përmbushjen e reformave dhe standardeve evropiane. Presidenti Begaj nënvizoi se Shqipëria ka hyrë në një fazë të avancuar dhe dinamike të procesit të integrimit, duke dëshmuar vullnet të palëkundur politik dhe mbarëshoqëror, si dhe gatishmëri institucionale për të vijuar me përmbushjen e detyrimeve të anëtarësimit.
Kreu i Shtetit vlerësoi reformën në drejtësi si një nga dëshmitë më të rëndësishme të vendosmërisë së Shqipërisë për të përmbushur standardet evropiane, pavarësisht sfidave të procesit. Ai rikonfirmoi angazhimin për forcimin e pavarësisë dhe integritetit të institucioneve të drejtësisë, si dhe për intensifikimin e luftës kundër korrupsionit përmes funksionimit të pavarur dhe të pandikuar politikisht të strukturave të tjera të drejtësisë.
Presidenti i Republikës rikonfirmoi, gjithashtu, se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një objektiv kombëtar, i mbështetur gjerësisht nga shoqëria shqiptare, duke nënvizuar se përfshirja e të gjithë shoqërisë në këtë proces është një nga faktorët që e shtyn Shqipërinë të ecë më shpejt drejt finalizimit të procesit të anëtarësimit.
“Shqipëria është e angazhuar për përmbushjen e objektivit të saj strategjik për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2030. Përfshirja e të gjithë shoqërisë shqiptare në realizimin e kësaj ambicieje dhe entuziazmi i saj për këtë proces janë një tipar që na diferencon dhe na nxit të punojmë edhe më fort për ta arritur këtë objektiv”, u shpreh Presidenti Begaj.
Gjatë takimit u evidentua, gjithashtu, harmonizimi i plotë i Shqipërisë me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian, si një dëshmi e qartë e orientimit strategjik të vendit dhe e përkushtimit të tij ndaj vlerave dhe politikave të përbashkëta evropiane.
Në përfundim, Presidenti Begaj shprehu besimin se Ambasadorja Sofia Moreira de Sousa do të japë një kontribut të rëndësishëm në avancimin e marrëdhënieve Shqipëri–BE dhe në rrugëtimin evropian të vendit.
Duke iu referuar Ambasadores, Presidenti u shpreh se beson se, deri në përfundim të mandatit të saj, Shqipëria do të jetë anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Pas ceremonisë, Ambasadorja Moreira de Sousa deklaroi: “Është nder të jem këtu. Rruga e Shqipërisë drejt BE-së ka arritur në një fazë vendimtare, me të gjitha grup-kapitujt të hapur dhe tre kapitujt e parë tashmë të mbyllur. Por anëtarësimi nuk ka të bëjë vetëm me grup-kapituj dhe kapituj. Ai ka të bëjë me përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Së bashku me ekipin tim, pres me padurim të punoj ngushtë me autoritetet shqiptare dhe me të gjithë partnerët, në koordinim me Shtetet Anëtare të BE-së, për çuar Shqipërinë në Bashkimin Evropian dhe për të ndërtuar të ardhmen tonë të përbashkët.”
Top Channel