Video/ Përmbytje në Kanionin e Madh, një i vdekur dhe rreth 15 të zhdukur në Arizona

31/08/2026 09:56

Një person ka humbur jetën dhe rreth 15 të tjerë rezultojnë të zhdukur ose të pagjetur, pasi përmbytjet e menjëhershme goditën Kanionin e Madh në Arizona, duke shkaktuar rrëshqitje dheu, dëme të mëdha dhe evakuime me helikopter.

Viktima është një burrë 46-vjeçar, trupi i të cilit u gjet të dielën pranë Crystal Rapids, përgjatë lumit Colorado. Autoritetet amerikane po vijojnë kërkimet për personat që ende nuk janë gjetur.

Më shumë se 60 alpinistë dhe kampistë u evakuuan me helikopter nga zona e Bright Angel Creek, pasi reshjet e dendura shkaktuan përmbytje të fuqishme dhe rrëshqitje dheu.

Përmbytjet kanë shkaktuar dëme serioze në të vetmin tubacion që furnizon me ujë të pijshëm pjesë të parkut. Për shkak të mungesës së ujit, autoritetet kanë vendosur të ndalojnë qëndrimet gjatë natës në disa akomodime brenda parkut duke nisur nga e hëna.

Banorëve të përhershëm u është kërkuar gjithashtu të kufizojnë konsumin e ujit. “Këto masa janë jetësore për të garantuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë e burimeve ujore”, njoftoi Shërbimi i Parqeve Kombëtare të SHBA-së.

Një nga dëshmitarët e ngjarjes, Parth Desai, tregoi momentet kur stuhia goditi kanionin. Sipas tij, shiu i rrëmbyeshëm solli papritur ujëra të shumta, baltë, shkëmbinj dhe rrëshqitje dheu. Në një moment, grupi i tij pa një front uji rreth një metër të lartë që po afrohej bashkë me mbeturina. Alpinistët u detyruan të vraponin drejt terrenit më të lartë për t’u shpëtuar ujërave.

Forca e ujit ka marrë me vete ura për këmbësorë dhe ka ndryshuar shtratin e Bright Angel Creek. Mbeturinat dhe shkëmbinjtë e transportuar nga ujërat kanë ndryshuar edhe disa prej formacioneve natyrore në zonë. Shërbimet e parkut kanë mbyllur disa pika të njohura, përfshirë Bright Angel Campground, North Kaibab Trail dhe Phantom Ranch.

Meteorologët thonë se në zonë ranë rreth 1 deri në 2.5 centimetra shi në vetëm 20 minuta. Situata u përkeqësua nga fakti se dy valë të mëparshme moti të keq kishin lagur tashmë tokën. Kur mbërriti stuhia kryesore, toka nuk ishte më në gjendje të thithte sasinë e madhe të ujit, duke shkaktuar përmbytje të menjëhershme.

Rreziku nuk ka kaluar ende. Më shumë reshje dhe stuhi priten në zonë, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë kërkimet për personat e zhdukur.

Kanioni i Madh, një nga destinacionet më të vizituara në SHBA, pret rreth 6 milionë vizitorë në vit.

Top Channel