Gjendet e vdekur në banesën e saj ish e dashura që denoncoi McGonigal/ Fjalët e fundit të saj: E urrej FBI-në. Babai i viktimës: Ajo s’do e vriste kurrë veten

31/08/2026 21:48

Allison Guerriero, ish-e dashura e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal, ka ndërruar jetë papritur në banesën e saj në Boynton Beach, Florida.

Guerriero, e cila kishte pasur një lidhje 18-mujore me McGonigal, ishte bërë e njohur për akuzat dhe denoncimet e saj publike ndaj ish-agjentit të FBI-së, i cili aktualisht po vuan një dënim prej 6 vitesh e 6 muajsh burg.

Vetëm disa orë para se të gjendej e vdekur, Guerriero kishte publikuar dhjetëra postime në platformën X, ku kritikonte ashpër FBI-në. Në një prej videove të publikuara prej saj, ajo deklaronte: “E urrej FBI-në.”

Në një tjetër video, ajo foli për rastin e McGonigal dhe kërkoi që vëmendja të përqendrohej edhe te persona të tjerë brenda agjencisë.

“Ja problemi me Charles McGonigal. Ju e dini emrin e tij, por më parë nuk e dinit. Ju njihnit Jim Comey-n, njihnit Chris Wray-n… të gjithë emrat që tashmë i njihni. Pse nuk filloni të kërkoni emrat që nuk i njihni?”, tha ajo.

Sipas të atit të saj, Bill Guerriero, shkaku i vdekjes ende nuk është përcaktuar. Familja është në pritje të raportit të autopsisë.

“Ne vërtet nuk e dimë ende. Po presim të kemi akses te raporti i autopsisë. Mund të ketë qenë një aksident. Mund të jetë rrëzuar. Mund të ketë qenë gjithçka”, deklaroi ai.

Policia e Boynton Beach konfirmoi se efektivët mbërritën në apartament rreth orës 20:03 të së enjtes. Autoritetet thanë se **“nuk duket të ketë shenja të ndërhyrjes kriminale”**, ndërsa hetimi vijon dhe priten të dhënat e mjekësisë ligjore.

Guerriero kishte qenë prej vitesh një prej personave që ngritën dyshime mbi aktivitetet e McGonigal. Ajo pretendonte se gjatë lidhjes së tyre kishte zbuluar elementë që e bënë të dyshonte se ish-agjenti ishte përfshirë në veprimtari të paligjshme.

Sipas rrëfimeve të saj, në vitin 2017 McGonigal kishte marrë 80 mijë dollarë nga një ish-zyrtar shqiptar i inteligjencës. Më vonë, Guerriero tha se kishte gjetur një shumë prej 80 mijë dollarësh në apartamentin ku jetonin.

“Mendja ime shkoi te ajo që ne i quajmë ‘flash rolls’, para që do t’ia jepje një informatori ose një agjenti në mbulim për të vazhduar operacionin”, kishte rrëfyer ajo.

Kur e kishte pyetur për paratë, sipas saj, McGonigal i kishte thënë se i kishte fituar duke vënë baste për një ndeshje bejsbolli.

Marrëdhënia e tyre përfundoi në vitin 2018, pasi Guerriero mësoi se McGonigal nuk kishte ndërmend të divorcohej nga bashkëshortja e tij.

Pas ndarjes, ajo tha se nisi të kontaktonte persona brenda FBI-së për të shprehur dyshimet e saj.

“Më kishte ardhur në mendje: ky njeri është tradhtar. Ai po merrte ryshfete për të ushtruar ndikim”, kishte deklaruar Guerriero.

Ajo pretendonte gjithashtu se kishte informuar ish-eprorë dhe zyrtarë të tjerë të FBI-së, por sipas saj, paralajmërimet nuk ishin marrë seriozisht.

“Sa herë që përpiqesha t’i flisja FBI-së për këtë, ata nuk donin të dëgjonin. I tregova ish-shefit të tij, u tregova edhe njerëzve të tjerë dhe askush nuk bëri asgjë”, kishte thënë ajo.

Charles McGonigal, ish-drejtues i kundërzbulimit të FBI-së në New York, u arrestua në janar 2023 dhe më vonë u dënua me 6 vite e 6 muaj burg për çështje që lidhen me marrjen e parave dhe marrëdhëniet e tij me oligarkun rus Oleg Deripaska.

Ndërkohë, vdekja e Guerriero mbetet nën hetim. Deri tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur një shkak zyrtar dhe policia thotë se nuk ka shenja të dukshme të një akti kriminal.

Top Channel