Çfarë mendon Rolando Maran për situatën e Kombëtares shqiptare në prag të Nations League? Cilat janë shqetësimet e tij për lojtarët kuqezi dhe a do të ketë emra të rinj në listë? Trajneri italian i përgjigjet të gjitha pyetjeve në një intervistë ekskluzive për Top Channel.

Nesër, Top Channel sjell intervistën e plotë të trajnerit të Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, në një bisedë të gjatë dhe të drejtpërdrejtë me gazetarin Endi Tufa.

Në prag të nisjes së ndeshjeve zyrtare të Nations League, Maran flet hapur për situatën e kuqezinjve, pas një vere me shumë ndryshime për lojtarët shqiptarë. Disa kanë ndryshuar skuadër, disa nuk kanë gjetur ende ekip, ndërsa të tjerë nuk po marrin minutat që do të dëshironte trajneri. Por a është kjo një arsye për shqetësim?

“Nuk kam frikë nga vështirësitë”, është përgjigjja e Maranit.

Italiani tregon se çfarë ka bërë gjatë muajve të fundit për të njohur më mirë grupin, sa ndeshje ka ndjekur dhe zbulon një tur intensiv në Europë për të parë nga afër lojtarët kuqezi.

Rreth 7 vende në vetëm 14 ditë, por intervista nuk ndalet këtu.

Maran flet edhe për mundësinë e afrimit të emrave të rinj në Kombëtare, për kriteret që duhet të plotësojë një futbollist për të marrë ftesën dhe për rëndësinë që ka aktivizimi i rregullt në klub. “Shpresoj të sjell emra të rinj”, paralajmëron trajneri.

Çfarë Shqipërie kërkon të shohë Maran në fushë?

Përgjigjja e tij është e fortë: “Agresiviteti duhet të jetë kostumi ynë.”

Dhe mbi të gjitha, cili është objektivi i tij për Kombëtaren?

“Dua që shqiptarët të jenë krenarë për Kombëtaren.”

Të gjitha përgjigjet e Maranit, detajet mbi lojtarët, emrat e rinj që po monitorohen, vështirësitë e merkatos dhe filozofia që kërkon të ndërtojë te kuqezinjtë:

NESËR, INTERVISTA E PLOTË E ROLANDO MARAN, EKSKLUZIVISHT NË TOP CHANNEL.

Top Channel