Ngjarja që po ndan opinionin publik në SHBA/ Vrau tre fëmijët e saj, por a ishte penalisht përgjegjëse Lindsay Clancy?

29/08/2026 10:49

Gjyqi i Lindsay Clancy, nënës amerikane të akuzuar për vrasjen e tre fëmijëve të saj, ka mbërritur në pikën vendimtare.

Pyetja kryesore që duhet të zgjidhë juria nuk është nëse 36-vjeçarja i vrau fëmijët, pasi mbrojtja nuk e kundërshton këtë fakt, por nëse ajo ishte penalisht përgjegjëse për veprimet e saj në momentin e krimeve.

Clancy akuzohet se më 24 janar 2023 mbyti tre fëmijët e saj, Corën 5-vjeçare, Dawsonin 3-vjeçar dhe Callanin 8-muajsh, në shtëpinë e familjes në Duxbury, Massachusetts.

Ajo është deklaruar e pafajshme për shkak të mungesës së përgjegjësisë penale. Avokatët e saj argumentojnë se gruaja vuante nga një sëmundje e rëndë mendore dhe se, në momentin e vrasjeve, ndodhej në një gjendje psikotike që e kishte shkëputur nga realiteti.

Prokuroria ka një tjetër version. Sipas saj, problemet e shëndetit mendor të Clancy-t ishin reale, por nuk e kishin privuar atë nga aftësia për të kuptuar se çfarë po bënte. Prokurorët pretendojnë se veprimet e saj para dhe gjatë vrasjeve tregojnë planifikim dhe kontroll të konsiderueshëm.

Pas pesë javësh dëshmi, ku janë dëgjuar më shumë se 70 dëshmitarë të prokurorisë dhe 10 të mbrojtjes, juria duhet të vendosë nëse Clancy mund të konsiderohet penalisht përgjegjëse.

Pasditen e 24 janarit 2023, Lindsay Clancy ndodhej në shtëpi me bashkëshortin e saj, Patrick dhe tre fëmijët.

Patrick u largua nga banesa për të marrë ushqim dhe ilaçe. Prokuroria pretendon se Clancy e dërgoi atë jashtë në mënyrë që të mbetej vetëm me fëmijët.

Gjatë kohës që ai ishte larg, Clancy mbyti tre fëmijët duke përdorur shirita ushtrimesh.

Më pas, ajo tentoi të vriste veten duke u vetëtherur dhe duke u hedhur nga dritarja. Rënia i shkaktoi dëmtime të rënda në shtyllën kurrizore dhe e la të paralizuar. Në gjyq ajo paraqitet në karrige me rrota.

Kur Patrick u kthye në shtëpi, e gjeti gruan të plagosur rëndë jashtë banesës. Kur e pyeti për fëmijët, ajo i tha se ndodheshin në bodrum.

Patrick zbriti në bodrum dhe gjeti fëmijët. Cora dhe Dawson kishin vdekur, ndërsa Callani u dërgua në spital në Boston, ku ndërroi jetë disa ditë më vonë. Sipas mjekut ligjor, shkak i vdekjeve ishte asfiksia.

Një nga momentet më tronditëse të gjyqit ishte dëgjimi i telefonatës së Patrick-ut me shërbimet e emergjencës. I tronditur, ai dëgjohet duke bërtitur për fëmijët e tij.

Mbrojtja është përqendruar te gjendja e rëndë mendore e Clancy-t në javët para vrasjeve.

Patrick dëshmoi se pas lindjes së fëmijës së tretë, gjendja e saj ishte përkeqësuar ndjeshëm. Ai e përshkroi periudhën si një “spirale të madhe në rënie”.

Clancy kishte humbur peshë, ishte bërë tepër e dëshpëruar, kishte probleme me gjumin dhe kishte kërkuar vazhdimisht ndihmë mjekësore. Në javët para vrasjeve ajo kishte qëndruar edhe në një spital psikiatrik dhe kishte shprehur mendime për vetëvrasje.

Sipas dëshmive në gjykatë, asaj i ishin përshkruar më shumë se një duzinë ilaçesh psikiatrike gjatë trajtimit të saj, megjithëse kjo nuk do të thotë se i kishte marrë të gjitha në të njëjtën kohë.

Nëna e Clancy-t, Paula Musgrove, dëshmoi se vajza e saj ishte bërë paranojake dhe besonte se ilaçet po “i prishnin mendjen”. Ajo tha gjithashtu se rreth një muaj para vrasjeve, Lindsay kishte shprehur frikën se mund t’u bënte keq fëmijëve.

Motra e saj dëshmoi se Clancy kishte mendime të përditshme për vetëvrasje.

Psikiatri Philip Resnick, dëshmitar i mbrojtjes, argumentoi se Clancy ishte në gjendje psikotike dhe delirante kur vrau fëmijët. Sipas tij, ajo kishte arritur të besonte se duke i vrarë, po i “mbronte”.

Një tjetër element i rëndësishëm i versionit të mbrojtjes është dëshmia e Clancy-t se kishte dëgjuar një zë mashkullor që e urdhëronte të vriste fëmijët. Avokatët argumentojnë se bëhej fjalë për një halucinacion dëgjimor të lidhur me një episod psikotik.

Psikiatri Gregory Shatov argumentoi se mënyra se si Clancy e përshkroi zërin nuk tregonte domosdoshmërisht një humbje të plotë të kontrollit. Sipas tij, zëri nuk i kishte treguar se ku, në çfarë rendi dhe me çfarë mjeti duhej të kryente vrasjet.

Për prokurorinë, fakti që Clancy kreu një sërë veprimesh të njëpasnjëshme tregon se ajo kishte ende kontroll mbi sjelljen e saj.

Një tjetër dëshmitare e rëndësishme ishte psikiatrja Jennifer Tufts, e cila e kishte trajtuar Clancy-n në më shumë se 12 seanca gjatë një periudhe prej rreth pesë muajsh. Tufts tha se nuk kishte vërejtur shenja psikoze gjatë seancave me të.

Prokuroria gjithashtu thekson se Clancy nuk kishte raportuar më herët te profesionistët e shëndetit mendor se po dëgjonte zëra.

Në ditët e fundit të gjyqit, mbrojtja kërkoi shpalljen e gjykimit të pavlefshëm pas referencave të prokurorisë ndaj besimit katolik të Clancy-t.

Prokuroria e kishte pyetur nëse ajo e dinte se vrasja konsiderohej një “mëkat i rëndë” në Kishën Katolike. Gjykatësi William Sullivan e hodhi poshtë kërkesën për gjykim të pavlefshëm, por urdhëroi jurinë që të mos i merrte parasysh këto deklarata.

Rasti ka shkaktuar një debat të madh edhe në internet. Në rrjetet sociale janë përhapur teori konspirative që vënë në pikëpyetje rolin e Patrick Clancy-t.

Megjithatë, Patrick nuk është konsideruar i dyshuar nga hetuesit dhe nuk ka prova publike që ta lidhin atë me vrasjet. Përkundrazi, provat e paraqitura në gjyq tregojnë se ai ndodhej jashtë shtëpisë kur ndodhën krimet.

Kamerat e sigurisë e kanë filmuar në farmaci dhe më pas në një restorant, ndërsa të dhënat telefonike dhe provat e tjera janë përdorur për të rindërtuar lëvizjet e tij.

Edhe mbrojtja e Lindsay-t nuk pretendon se Patrick ishte autori i vrasjeve. Lindsay ka pranuar se ajo i vrau fëmijët.

Avokati i Patrick-ut i ka cilësuar teoritë që qarkullojnë online si “të rreme dhe shpifëse”, duke paralajmëruar se ato kanë shkaktuar pasoja reale për familjen.

Juria nuk duhet të vendosë thjesht nëse Lindsay Clancy vuante nga një sëmundje mendore. Çështja kryesore është nëse, për shkak të kësaj sëmundjeje, ajo kishte humbur aftësinë për të kuptuar natyrën kriminale ose moralisht të gabuar të veprimeve të saj, ose për t’i përshtatur sjelljet e saj me kërkesat e ligjit.

Sipas rregullave të Massachusetts, barra për të provuar se Clancy ishte penalisht përgjegjëse i takon shtetit.
Nëse shpallet fajtore për vrasje të shkallës së parë, ajo përballet me burgim të përjetshëm pa mundësinë e lirimit me kusht.
Nëse juria e shpall të papërgjegjshme penalisht, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ajo do të lirohet. Clancy mund të dërgohet në një spital psikiatrik, në varësi të gjendjes së saj.

Jashtë gjykatës, rasti ka mbledhur qindra mbështetës të Clancy-t, shumë prej të cilëve janë shfaqur me bluza rozë dhe slogane që bëjnë thirrje për më shumë vëmendje ndaj shëndetit mendor pas lindjes.

Në qendër të gjithë çështjes mbetet një pyetje e vetme, a ishte Lindsay Clancy një nënë që e dinte se po kryente një krim të tmerrshëm, apo një grua e përfshirë nga një episod i rëndë psikotik që i kishte hequr aftësinë për të kuptuar realitetin?

Top Channel