Përmbytjet në Nepal/ Rritet bilanci i viktimave, 477 të vdekur dhe rreth 1 mijë persona rezultojnë të zhdukur
Zbulime të reja arkeologjike nën Kishën e Varrit të Shenjtë në Jerusalem kanë nxjerrë në dritë gjurmë të një peizazhi të lashtë varrimi, me ngjashmëri të habitshme me përshkrimet e Dhiatës së Re për vendin ku, sipas traditës së krishterë, u varros Jezu Krishti.
Arkeologët italianë kanë zbuluar varre të gdhendura në shkëmb, zona të kultivuara, një gurore të braktisur dhe gjurmë të një kopshti të lashtë. Megjithatë, studiuesit theksojnë se këto zbulime nuk mund të vërtetojnë se bëhet fjalë për varrin e Jezusit.
Rezultatet paraprake të kërkimit janë publikuar në revistën arkeologjike të Jerusalemit, Liber Annuus.
“Kemi gjetur prova të një peizazhi varrimi”, tha drejtuesja e gërmimeve, Francesca Romana Stasola, nga Universiteti i Romës “La Sapienza”, në një prononcim për Daily Mail.
Gërmimet në Kishën e Ringjalljes, e njohur edhe si Kisha e Varrit të Shenjtë, nisën në vitin 2022, në kuadër të punimeve për restaurimin e dyshemesë së tempullit.
Kisha e shekullit të IV është ndërtuar mbi vendin ku, sipas traditës së krishterë, Jezusi u kryqëzua, u varros dhe u ringjall. Ajo është sot një prej vendeve më të rëndësishme të pelegrinazhit të krishterë dhe tërheq rreth katër milionë vizitorë në vit.
Gjatë fazave të fundit të gërmimeve, në vitin 2025, arkeologët zbuluan një peizazh antik që përfshin një gurore të braktisur, zona bujqësore, varre të gdhendura në shkëmb dhe gjurmë të një kopshti.
Zbulimet tërheqin vëmendje për shkak të ngjashmërisë me përshkrimin në Ungjillin e Gjonit, ku thuhet se në vendin ku u kryqëzua Jezusi kishte një kopsht dhe në të ndodhej një varr i ri.
Në kohën e Jezusit, zona e gurores ndodhej jashtë mureve të Jerusalemit. Pjesë të saj arrinin rreth gjashtë metra në thellësi dhe më vonë u mbushën me dhe, çka sugjeron se zona u përdor edhe për qëllime bujqësore.
Arkeologët kanë gjetur gjithashtu prova që lidhen me kultivimin e ullinjve dhe hardhive, që datojnë në periudhën kur besohet se Jezusi vdiq, rreth vitit 33 pas Krishtit.
“Ungjilli përmend një zonë të gjelbër midis Golgotës dhe varrit dhe ne identifikuam këto fusha të kultivuara”, tha Stasola për Times of Israel.
Një tjetër element i rëndësishëm janë vetë varret, të cilat janë gdhendur drejtpërdrejt në shkëmb. Kjo tregon se zona është përdorur si vend varrimi.
Kjo përputhet me përshkrimet në Ungjijtë e Mateut, Markut dhe Lukës, ku thuhet se varri i Jezusit ishte gdhendur në shkëmb.
Megjithatë, në vendin e gërmimeve nuk janë gjetur mbetje njerëzore që të mund të lidhen me Jezusin.
Studiuesit po shqyrtojnë gjithashtu një dhomë varrimi që ishte bllokuar nga një strukturë romake e ndërtuar gjatë mbretërimit të Perandorit Hadrian, në shekullin e II pas Krishtit.
Rreth dy shekuj më vonë, gjatë mbretërimit të Perandorit Kostandin, struktura romake u shkatërrua dhe zona u gërmua sërish, duke nxjerrë në pah varrin.
Sipas arkeologëve, varri më pas u izolua nga dhomat e tjera të varrimit dhe rreth tij u krijua një hapësirë e veçantë pelegrinazhi, ku të krishterët mund të mblidheshin dhe të luteshin.
Pavarësisht ngjashmërive me përshkrimet biblike, arkeologët theksojnë se zbulimet nuk ofrojnë prova përfundimtare se vendi ishte varri i Jezu Krishtit.
Megjithatë, studiuesit vlerësojnë se mënyra se si vendi është ruajtur dhe është kthyer në një hapësirë të rëndësishme pelegrinazhi që nga shekujt e parë të krishterimit mund të tregojë se njohuritë për rëndësinë e tij janë transmetuar ndër breza.
Për Francesca Romana Stasolën, rëndësia e gërmimeve shkon përtej përpjekjes për të konfirmuar një rrëfim biblik.
“Thesari i vërtetë që po zbulojmë është historia e njerëzve që e bënë këtë vend atë që është, duke shprehur besimin e tyre këtu”, u shpreh ajo.
Sipas saj, pavarësisht nëse dikush beson apo jo në karakterin historik të Varrit të Shenjtë, vetë fakti që breza të tërë njerëzish kanë besuar në të është një fakt historik. Historia e këtij vendi është, në një masë të madhe, edhe historia e Jerusalemit dhe e adhurimit të Jezu Krishtit.
Top Channel