Bolivia miraton kredinë 1.9 miliardë dollarëshe nga FMN/ Presidenti Paz heq subvencionet për naftën, sindikatat kërcënojnë me protesta

19/09/2026 16:58

Ligjvënësit bolivianë kanë miratuar marrëveshjen e kredisë prej 1.9 miliardë dollarësh me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), duke i dhënë qeverisë së presidentit Rodrigo Paz një mbështetje të rëndësishme në përpjekjet për të përballuar krizën e thellë ekonomike të vendit.

Vetëm disa orë pas miratimit të marrëveshjes nga Kongresi, presidenti Paz njoftoi heqjen e menjëhershme të subvencioneve për naftën që përdoret nga kamionët, autobusët dhe traktorët. Vendimi është pjesë e masave të kërkuara në kuadër të marrëveshjes me FMN-në. Benzina, e përdorur kryesisht nga automjetet private, do të vazhdojë të subvencionohet për momentin.

Senati ratifikoi marrëveshjen një ditë pasi ajo u miratua nga dhoma e ulët, duke kapërcyer kështu pengesën e fundit ligjore për programin trevjeçar të financimit. Marrëveshja synon të ndihmojë në rimbushjen e rezervave valutore në rënie dhe stabilizimin e ekonomisë, e cila po përballet me inflacion të lartë dhe rritje të dobët.

FMN-ja e kishte njoftuar marrëveshjen në nivel stafi në korrik, pas muajsh negociatash me qeverinë e Paz. Programi ende duhet të miratohet nga bordi ekzekutiv i FMN-së përpara se fondet të mund të disbursohen.

Ministri i Ekonomisë, Christian Morales, u tha senatorëve se marrëveshja pritet t’u japë institucioneve të tjera financiare, përfshirë Bankën Botërore dhe Bankën Ndëramerikane të Zhvillimit, më shumë besim tek qeveria dhe ta ndihmojë Bolivinë të sigurojë rreth 5 miliardë dollarë financim shtesë.

Por masat e kërkuara nga FMN-ja, veçanërisht heqja e subvencioneve të karburantit, rrezikojnë të shkaktojnë protesta të reja. Bolivia u përfshi në javë të tëra protestash dhe bllokimesh rrugore gjatë qershorit dhe korrikut, duke paralizuar pjesë të mëdha të vendit.

Kongresi ka zgjatur gjithashtu për 90 ditë gjendjen e jashtëzakonshme të shpallur nga Paz gjatë protestave. Masa i lejon ushtrisë të ndërhyjë për lirimin e rrugëve dhe parashikon pezullimin e disa lirive civile.

Top Channel