Rinis seanca për Ergys Agasin në GJKKO, ishte ndërprerë prej më shumë se dy orësh

28/08/2026 14:22

Seanca në GJKKO për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj Ergys Agasit ka rinisur, pas ndërprerjes.

Seanca, e cila kishte nisur në orën 12:00, u ndërpre pas më shumë se dy orësh, pasi gjykata kërkoi një pauzë ndërsa avokati Haxhia po paraqiste argumentet e mbrojtjes para trupit gjykues.

Më herët, seanca ishte ndërprerë me kërkesë të mbrojtjes, pasi avokati Haxhia kërkoi kohë për t’u njohur me vendimin për caktimin e masës së sigurisë dhe me aktet e tjera të dosjes hetimore, të cilat nuk i kishte pasur më herët në dispozicion. Gjykata vendosi që seanca të riniste në orën 12:00.

Ergys Agasi ndodhet përballë GJKKO-së për vlerësimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, e cila ishte caktuar më herët në mungesë.

Ai ishte shpallur në kërkim që prej dhjetorit të vitit 2025 dhe u arrestua më 26 gusht në zonën e Plepave në Durrës, pas disa muajsh në kërkim. Në momentin e arrestimit, Agasi shoqërohej nga ish-punonjësi i Policisë së Shtetit, Uljan Shpataraku, i cili gjithashtu u arrestua.

Tashmë pritet që seanca të vijojë në një moment tjetër, ndërsa trupi gjykues do të dëgjojë përfundimisht argumentet e palës mbrojtëse dhe më pas do të vendosë për masën e sigurisë ndaj Ergys Agasit.

 

Top Channel