Rriten importet, bie produkti vendas/ 69 mijë tonë ushqime nga jashtë më shumë se një vit më parë, kryesojnë gruri e misri

23/08/2026 12:16

Zgjerimi i turizmit vendas nga deti në mal duhet të sillte ndryshime pozitive në sektorin e bujqësisë, duke sjellë më tepër kërkesa për prodhimin vendas.

Të dhënat e INSTAT tregojnë që përfituesit e këtij tregu të madh nuk janë fermerët, por importuesit.

Nga janar-korrik të 2026, Shqipëria importoi 606,4 mijë tonë produkte ushqimore, nga 537,4 mijë tonë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sasia e importuar u zgjerua me rreth 69 mijë tonë, ose 12,8%, sipas të dhënave të tregtisë së jashtme.

Shifrat tregojnë se numri i turistëve në gjashtëmujorin e parë të këtij viti shkoi në 5,1 mln shtetas të huaj, ose 6,2% më tepër se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Ky numër i lartë konsumatorësh nuk solli shtim të sipërfaqes së mbjellë e kjo shihet edhe tek kërkesat e strukturave akomoduese dhe restoranteve e bujtinave që kanë për prodhimin e fermave jashtë kufijve, duke refuzuar produktet e tokës shqiptare për shkak të çmimit të lartë që kanë frutat dhe perimet tona. Kështu, pushuesit e huaj sollën me vete edhe shijen e bukës së tyre.

Pjesën kryesore në zgjerimin e importeve të ushqimeve e dhanë drithërat. Në janar–korrik 2026 u importuan rreth 239,3 mijë tonë drithëra, nga 194,4 mijë tonë një vit më parë. Rritja ishte rreth 44,9 mijë tonë, ose 23,1%. Vetëm drithërat përbënin 39,5% të të gjithë sasisë së ushqimeve të importuara dhe rreth 65% të shtesës vjetore.

Përveç grurit e misrit, të njëjtin trend rritës e ndoqën edhe perimet. Saktësisht, importet e perimeve u shtuan me 4,5 mijë tonë, ose 11,1%, duke arritur në 45,5 mijë tonë. Kjo si pasojë edhe e përmbytjeve që ndodhin përgjatë muajve nëntor-janar. Sasitë e frutave dhe arrave të importuara arritën në 64,7 mijë tonë, me një rritje 5,1%. Kurse importet e mishit dhe të brendshmeve të ngrënshme u rritën me 4,9%, në 28,1 mijë tonë. Rritje të fortë shënuan edhe kafshët e gjalla, me 19%.

Vetëm gjatë korrikut, grupi “Ushqime, pije dhe duhan” dha një kontribut prej 0,8 pikë përqindjeje në rritjen e importeve totale të vendit.

Rritja e shifrave të importit tregon se prodhimi vendas as nuk preferohet dhe as i përgjigjet kërkesave të tregut. Në vitin 2025, prodhimi vendas i grurit ra me 10,1%, ndërsa prodhimi i patates u ul me 7,2%. Prodhimi i perimeve u rrit vetëm me 1,5%, shumë më pak se rritja prej 11,1% e sasive të importuara gjatë 7-mujorit 2026.

Të dhënat zyrtare të bujqësisë tregojnë se tregu vendas nuk po zgjerohet me të njëjtin ritëm që ka sektori i turizmit. Kjo shihet dhe tek interesi i shtuar i tregtarëve në dyert e doganave të huaja, ndërkohë që këto kërkesa fare mirë mund t’i drejtoheshin fermave të vendit.

Top Channel