Fluks i madh në Portin e Vlorës, 8 mijë pasagjerë dhe 2,300 automjete nisen drejt Italisë

23/08/2026 09:18

Rreth 8,000 pasagjerë dhe 2,300 automjete janë larguar gjatë kësaj fundjave nga Porti i Vlorës në drejtim të Italisë, përmes tre trageteve që kanë operuar në linjën Vlorë-Brindisi.

Kryesisht kanë qenë emigrantët shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Itali, por dhe shumë turistë italianë janë larguar këtë fundjavë.

Fluksi i lartë i udhëtarëve dhe automjeteve ka qenë i menaxhueshëm dhe procesi i përpunimit të dokumentacionit është zhvilluar pa probleme.

Një pikë e rëndësishme për t’u theksuar është se gjatë gjithë këtij procesi nuk janë regjistruar asnjë vonesë nga ana e Policisë Kufitare për nisjen në orar të trageteve sipas programit.

Për përballimin e numrit të madh të udhëtarëve dhe automjeteve, në pistën e makinave kanë qenë në funksion nëntë sportele, duke mundësuar një përpunim sa më të shpejtë dhe shmangien e radhëve të gjata. Po ashtu, edhe në terminal janë pesë të tilla, për të mos pasur vonesa.

Nga dita e hënë pritet që situata në port të rikthehet në ritmin normal të punës, pas fluksit të shtuar të kësaj fundjave.

Strukturat e Policisë Kufitare vijojnë të jenë të angazhuara për të garantuar një proces të rregullt dhe të shpejtë për të gjithë pasagjerët që udhëtojnë drejt Italisë.

Top Channel